Muhamed Murtezi apel për qetësi: Procesi brenda VLEN-it t’u lihet liderëve

4 Min. Leximi

Kryesuesi i Këshillit Komunal të Çairit nga radhët e VLEN, Muhamed Murtezi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me debatet e fundit brenda koalicionit.

Ai e nisi me një shprehje të vjetër popullore, duke lënë të kuptohet se polemikat publike po prodhojnë më shumë tension sesa zgjidhje. Sipas tij, përplasjet dhe komentet në rrjete sociale nuk i ndihmojnë procesit të bisedimeve që po zhvillohet mes liderëve të VLEN-it për shkrirjen në një subjekt të vetëm.

Murtezi vlerëson se VLEN ka arritur deri këtu falë angazhimit të të gjitha palëve dhe se kjo frymë bashkëpunimi duhet të ruhet edhe në të ardhmen. Ai thekson se çdo mospajtim eventual duhet të trajtohet me qetësi dhe respekt të ndërsjellë, duke lënë hapësirë për bashkëveprim edhe më tej.

Në fund, ai apelon që kjo çështje t’u lihet në dorë liderëve të koalicionit, ndërsa anëtarët dhe mbështetësit të shmangin analizat dhe debatet e panevojshme në rrjete sociale, pasi, sipas tij, ato më shumë dëmtojnë sesa ndihmojnë procesin.

 

Postimi i plotë:

“Fëmijët i hanë mollat, të rriturve u mpihen dhëmbët”.

Seç mu kujtua kjo shprehje e vjetër, teksa po lexoj kohëve të fundit, nëpër rrjete sociale, polemikat e individëve të caktuar dhe profileve ndryshme në lidhje me proceset që po ndodhin këtyre ditëve brenda koalicionit VLEN.

Në rrethanat aktuale, kujtoj se këto “zënka” nuk i bëjnë asnjë shërbim pozitiv bisedimeve që po zhvillohen mes liderëve të VLEN-it për të gjetur një zgjidhje të duhur e të pranueshme drejt shkrirjes në një subjekt të vetëm. Përkundrazi, japin një mesazh jo të mirë deri të aktivistët dhe anëtarët e ndershëm të të gjitha partive brenda koalicionit, duke shkaktuar tensionim, e ndoshta edhe hidhërim, krejt të panevojshëm, mes tyre.

VLEN është mbajtur “gjallë” dhe ka arritur aty ku është sot me angazhimin dhe kontributin e të gjitha palëve, këtu nuk ka asnjë dyshim, pavarësisht nuancave që mund të jenë shfaqur aty-këtu në çaste e vende të ndryshme dhe sakrificave që është dashur të bëhen në ndonjë moment të caktuar. Dhe, si një person i kyçur kohëve të fundit në këtë familje të madhe, uroj që kjo frymë e ky bashkim të vazhdojë të ekzistojë edhe në të ardhmen, në dobi të të gjithëve. Sepse kjo është rruga më e sigurt drejt suksesit dhe avancimit të mëtejmë të drejtave tona dhe çështjes sonë kombëtare.

Megjithatë, edhe nëse ndodh ndryshe, mos e dhëntë Zoti, ndonjë çarje a shkëputje e padëshiruar, kjo gjithsesi duhet të bëhet në mënyrën më të butë e me respektin më të madh për njëri tjetrin, duke lënë një derë të hapur për bashkëveprim të sërishëm, të domosdoshëm, në një kohë sa më të afërt. Këtë, më së paku, ua kemi borxh të gjithë atyre që punuan ditë e natë për ta sjellë ndryshimin, këtë e kërkon mundi i dhënë dhe djersa e derdhur e të gjithë aktivistëve fisnikë gjatë këtij rrugëtimi të deritanishëm të përbashkët.

Dhe kjo çështje duhet t’u lihet në dorë liderëve të VLEN-it, që ta rregullojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, me kokë të kthjellët e emocione të qeta, për të mirën e përgjithshme e larg egos së tepruar, duke besuar fuqishëm në arsyen e tyre të shëndoshë. Ndërsa të tjerët duhet të përmbahen maksimalisht nga opinionet dhe analizat fejsbukiane, të cilat, për mendimin tim, sjellin më shumë dëm sesa dobi. Edhe atëherë kur mendohet se po veprohet “me nijet të mirë”.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull