MPJ thirrje për qytetarët e RMV-së në Izrael: Fshehuni në vende të sigurta, fluturimet janë anuluar

3 Min. Leximi

Në lidhje me informacionet më të fundit për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Izrael, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme u bën apel të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në territorin e këtij shteti të ndjekin me kujdes portalet zyrtare kombëtare për emergjenca dhe të veprojnë në përputhje të plotë me udhëzimet e institucioneve kompetente.


“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve tanë të përmbahen nga udhëtimi drejt këtij vendi dhe vendeve të rajonit përreth, derisa të stabilizohet situata e sigurisë”, njoftoi Ministria.

 

Sipas informacioneve të marra nga Ambasada në Tel Aviv, hapësira ajrore mbi Izrael është e mbyllur për fluturime civile deri në njoftim të mëtejshëm. Të gjitha fluturimet komerciale, si hyrëse ashtu edhe dalëse, janë pezulluar, pa një njoftim konkret për rifillimin e trafikut ajror të rregullt.

 

Ministria i rikujton qytetarët tanë se nëse kanë nevojë për ndihmë, mund të kontaktojnë në:

 

Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv:

Tel: +972 54 500 8566

Tel: +972 54 967 0546

E-mail: [email protected]

 

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme:

Tel: +389 75 273 732 / +389 75 268 736

E-mail: [email protected]

 

Ministria, përmes Përfaqësisë Diplomatiko-Konsullore në Tel Aviv, po e ndjek vazhdimisht situatën dhe do ta informojë me kohë publikun për zhvillimet e mëtejshme.

 

Edhe Ambasada maqedonase ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët maqedonas që ndodhen në Izrael.

 

“Qytetarët maqedonas që aktualisht ndodhen në Izrael duhet të ndjekin rreptësisht udhëzimet e lëshuara nga Komanda izraelite e Frontit të Brendshëm. U rekomandohet qytetarëve: të qëndrojnë brenda ose pranë një zone të mbrojtur (strehimore, dhomë sigurie ose zonë tjetër e miratuar); të sigurohen që e dinë se ku ndodhet zona më e afërt e mbrojtur; të mbajnë furnizimet bazë lehtësisht të qasshme, përfshirë ujë, ushqim, barna, komplet të ndihmës së parë, llamba dore dhe telefona të karikuar; të ndjekin përditësimet dhe raportet zyrtare në kohë reale përmes faqes së internetit të Komandës së Frontit të Brendshëm, aplikacionit mobil dhe mediave lokale. Pas marrjes së njoftimit, duhet të hyni menjëherë në zonat e mbrojtura dhe të qëndroni aty derisa udhëzimet zyrtare të tregojnë se është e sigurt të dilni. Për qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë drejt ose të largohen nga Izraeli, fluturimet janë anuluar deri në njoftim të mëtejshëm. Rekomandojmë të ndiqni me kujdes përditësimet nga kompania ajrore dhe autoritetet kompetente”, thuhet në apelin e Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv.

Për çdo ndihmë ose çështje urgjente, kontaktoni numrat e Ambasadës: +972 54 500 8566 dhe +972 54 967 0546.

Ambasada vazhdon ta monitorojë me kujdes situatën dhe do të ofrojë informacione shtesë nëse është e nevojshme, thuhet në njoftim.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull