Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe Zëvendëskryeministri i tretë i sapozgjedhur i Kosovës, përgjegjës për Çështjet e Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka, deklaroi se do të punojnë drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës.
Në një intervistë për Anadolu, Damka, tha se Republika e Turqisë është një nga vendet më të forta brenda NATO-s dhe mbështetja e saj do të jetë shumë e rëndësishme për anëtarësimin e Kosovës në këtë aleancë.
Zv.kryeministri Damka në intervistë foli në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës, marrëdhëniet Turqi-Kosovë dhe planet me qeverinë e re, duke thënë se gjatë mandatit të tij, synon t’i përparojë më tej marrëdhëniet e ngushta të Kosovës me Turqinë.
– “Presim kontribute të rëndësishme nga Republika e Turqisë në lidhje me anëtarësimin tonë në NATO”
Duke vënë në dukje se bota po kalon një periudhë të vështirë, Damka tha se “Kosova nuk do të heqë dorë kurrë nga udhërrëfyesi i saj i integrimit në Evropë. Do të ecim përpara me besim në këtë rrugë”.
Damka deklaroi se do të punojë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës me përkrahjen e pritur edhe nga Turqia.
“Një nga çështjet më të rëndësishme është se ne presim kontribute të rëndësishme nga Republika e Turqisë në lidhje me anëtarësimin tonë në NATO. Si në aspektin e përgatitjes së ushtrisë sonë, ashtu edhe në aspektin e infrastrukturës, siç e dini, Republika e Turqisë është një nga vendet më të forta brenda NATO-s. Prandaj, mbështetja e Republikës së Turqisë do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne në lidhje me (anëtarësimin në) NATO. Unë besoj se në periudhën e ardhshme, ne do ta arrijmë këtë (duke u bërë anëtar i Këshillit të Evropës) duke shfrytëzuar pozicionin, peshën dhe ndikimin e Republikës së Turqisë brenda Këshillit të Evropës”, tha zv.kryeministri.
– “Do të ndërmerren hapa për të prodhuar dronë të rinj në bashkëpunim me Turqinë”
Damka deklaroi se do të bëjë çmos që bashkëpunimi midis Kosovës dhe Turqisë të jetë i përhershëm dhe në një nivel më të lartë, dhe që të ndërmerren projekte më specifike dhe me perspektivë.
“Marrëdhëniet tona vazhdojnë në nivel presidencial. Bashkëpunimi ynë midis ministrive po rritet dita-ditës. Gjatë katër viteve të fundit, qeveria jonë ka qenë në bashkëpunim serioz me Turqinë, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, në lidhje me investimet. Një nga këto është ndërtimi i fabrikës së municioneve që do të ngrihet (në Kosovë) me Korporatën e Industrisë së Makinerisë dhe Kimisë (MKE) dhe besoj se do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Në të njëjtën kohë, do të ndërmerren hapa për të prodhuar dronë të rinj në bashkëpunim me Turqinë”, tha Damka.
Damka deklaroi se do të punojnë që Forumi i Biznesit Kosovë-Turqi, i cili u mbajt në Stamboll në vitin 2024, të mbahet në Kosovë këtë vit, dhe se do të sigurojnë gjithashtu pjesëmarrjen e biznesmenëve turq me përvojë dhe kompanive turke në procesin e ndërtimit të infrastrukturës së nevojshme për Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në Kosovë në vitin 2030.
Ai shtoi se gjatë këtij mandati do të trajtojnë nga afër edhe çështjet e komunitetit jo shumicë përfshirë edhe të turqve që jetojnë në Kosovë në fusha të ndryshme si arsimi, kultura dhe shëndetësia.
Qeveria e re e Kosovës, e kryesuar nga kryeministri Albin Kurti, mori një votëbesim nga Kuvendi i Kosovës më 11 shkurt.
Kryetari i Përgjithshëm i KDTP-së, Damka, mori pozitën e Zëvendëskryeministrit të Tretë, përgjegjës për Çështjet e Pakicave dhe Bashkëpunimin në kabinetin e ri, duke shënuar herën e parë që komuniteti turk në Kosovë do të përfaqësohet në këtë nivel në qeveri.

