Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se presidenti amerikan Donald Trump meriton Çmimin Nobel për Paqe, duke thënë se do ta nominojë atë për këtë çmim prestigjioz, nëse vazhdon të jetë në krye të shtetit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës na dhanë shpresë, së bashku me partnerë si Mbretëria e Bashkuar dhe vendet evropiane. Tump ka dhënë “një kontribut të jashtëzakonshëm” për paqen në Ballkanin Perëndimor. Nuk ka dyshim se ai e meriton Çmimin Nobel. E di që ka të tjerë që mund të kenë mendime të ndryshme, por ne e shohim kontributin e tij nga afër”, deklaroi Osmani në një intervistë për gazetën amerikane “Newsweek”.
Udhëheqësja kosovare tha se kishte folur me Trumpin katër herë në biseda “të shkurtra”, por “shumë kuptimplote”.
Ajo u pyet nëse do ta nominonte Trumpin për Nobelin për Paqe, ndërsa u përgjigj se: “Sigurisht, nëse unë jam presidente kur të vijë ai moment”.
Sipas Newsweek, vetëm persona të caktuar mund të paraqesin nominime për Çmimin Nobel për Paqe dhe afati për nominime përfundon në fund të janarit, ndërsa kryetarët e shteteve janë ndër ata që kanë të drejtë të propozojnë kandidatë. Fituesi shpallet çdo vit në muajin tetor.
“Donald Trump prej vitesh ka shprehur publikisht dëshirën për të fituar Çmimin Nobel për Paqe, duke e cilësuar veten si “paqebërësi kryesor”, ndërsa ka pretenduar se ka arritur marrëveshje që kanë ndalur konflikte në pjesë të ndryshme të botës”, thekson Newsweek. Megjithatë, sipas kësaj gazete, analistët dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vënë në dyshim se sa luftëra janë ndalur realisht gjatë mandatit të tij.
Po ashtu, kjo gazetë ka rikujtuar se SHBA-ja udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë dhe një krize humanitare që kishte shkaktuar dëbimin dhe spastrimin etnik të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës.
/rtsh.al/

