Duke komentuar uljen e pagave të funksionarëve, kryetari i partisë ZNAM, Maksim Dimitrievski, në emisionin Click Plus në TV21, tha se nuk ka asgjë kundër uljes së pagave të funksionarëve, por theksoi se ka funksionarë që mbajnë përgjegjësi të mëdha dhe nënshkruajnë dokumente për të cilat mbajnë edhe përgjegjësi penale.
Duke folur për veten, Dimitrievski deklaroi se nuk jeton nga paga, por se është marrë me biznes privat, ka punuar jashtë vendit dhe ka investuar e riinvestuar gjatë viteve.
“Nuk dua të keqkuptohem. Kam qenë i kënaqur dhe jam i kënaqur me pagën që marr, sepse unë nuk jetoj nga paga. Që nga viti 1998 jam marrë me biznes privat, dhe për shkak të politikës e lashë atë. Kam punuar jashtë vendit, kam investuar dhe riinvestuar. Nga politika nuk jetoj dhe pikërisht për këtë jam i lirë t’ia them kujtdo atë që mendoj”, deklaroi Dimitrievski.

