Pjesa e Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) në Gostivar, ka arritur marrëveshje me Komunën e Gostivarit për pagesën e K-15, pasi një gjë e tillë nuk ishte kryer deri më 31 dhjetor nga i deleguari i Qeverisë në Gostivar, transmeton Portalb.mk.
“Komuna e Gostivarit, nën udhëheqjen e kryetarit Valbon Limani, ka arritur një marrëveshje me Sindikatën e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – Gostivar për pagesën e K-15 për të gjithë mësimdhënësit, edhe pse kjo nuk ka qenë obligim i drejtpërdrejtë ligjor i komunës në këtë fazë”, njoftoi Komuna e Gostivarit.
Komuna sqaroi që kjo pagesë do të realizohet deri në fund të muajit prill.
Ndryshe, mbi 400 punonjës në shkollat e mesme në komunën e Gostivarit kanë qenë duke pritur për regresin vjetor për gati një muaj, sipas degës së SASHK-ut në Gostivar.
Gjatë dy muajve të fundit të vitit të kaluar, qeverisja vendore drejtohej nga një administrator qeveritar, derisa u zgjodh një kryetar i ri i komunës.

