Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, përmes rrjeteve sociale ka bërë të ditur se ditë më parë është miratuar Ligji për prodhime bujqësore organike, duke e cilësuar atë si një ndër hapat më të rëndësishëm për fermerët dhe bujqësinë në vend.
Sipas Hoxhës, ligji ofron mbështetje direkte për prodhuesit e vegjël, pasi ua lehtëson procesin e certifikimit, ul barrën e shpenzimeve dhe e bën prodhimin organik më konkurrues në treg.
“Ky ligj është mbështetje direkte për prodhuesit e vegjël, sepse ua lehtëson certifikimin, ua ul barrën e shpenzimeve dhe e bën prodhimin organik më të konkurrueshëm në treg”, shkroi Hoxha.
Ai theksoi se ndryshimet nënkuptojnë më pak kosto për certifikim, më shumë mundësi për shitje me çmim më të mirë dhe rregulla të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian.
“Tani Kuvendi e ka në dorë që ligji të kalojë dhe fermeri të fitojë”, përfundoi Hoxha.

