Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në seancën e sotme, theksoi se kjo Qeveri garanton përfaqësim të drejtë dhe se ligji i ri mori rekomandim pozitiv nga Komisioni i Venecias, i cili është obligues në procesin drejt BE-së, ndërsa projekti “Qyteti i Sigurt” nuk etnizon, por shpëton jetë njerëzish.
– Sa i përket përfaqësimit të drejtë, mund të them se absolutisht po tregohet kujdes për përfaqësimin e drejtë, unë personalisht jam garant dhe këtë e kam thënë edhe në të kaluarën. As si njeri, as si politikan, as si kryetar i Qeverisë, nuk do të lejoj që dikush të majorizojë apo të minimizojë dikë tjetër. Pra, absolutisht mund t’ju siguroj se cilësia e njerëzve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, duhet të jetë kyçe dhe prioritet, dhe kjo është një vlerë themelore kushtetuese dhe pjesë e rezolutave dhe konventave ndërkombëtare – theksoi Kryeministri Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes të parashtruar nga deputeti Skender Rexhepi.
Kryeministri Mickoski i tha deputetit Rexhepi se çështjet duhet të shihen më gjerë dhe në mënyrë objektive, në vend që të etnizohen, duke menduar se në këtë mënyrë do të fitohen pikë politike.
– Sa i përket Ligjit për përfaqësim të drejtë, ai është i përfunduar dhe ka marrë mendimet e fundit pozitive nga Komisioni i Venecias. Do t’ju rikujtoj se mendimi i Komisionit të Venecias, në përputhje me ndryshimet e fundit në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian dhe në përputhje me kërkesat e fundit për ndryshimin e metodologjisë në procesin e aderimit, janë një faktor vendimtar. Veprohet sipas tyre dhe pres që shumë shpejt ky ligj t’ju dorëzohet juve, deputetëve, dhe shpresoj që të miratohet njëzëri, pasi ka rekomandim pozitiv nga Komisioni i Venecias dhe gjithashtu shpresoj që në këtë mënyrë deputetët të mos i rrezikojnë proceset evropiane të shtetit, theksoi Kryeministri Mickoski.
Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri Mickoski theksoi se nuk do t’i komentojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por është fakt se kjo shumicë në Gjykatën Kushtetuese është zgjedhur në kohën e qeverisë së mëparshme, e jo në këtë qeveri.
Sa i përket projektit “Qyteti i Sigurt”, Kryeministri Mickoski theksoi se është gabim që edhe këtë projekt disa politikanë përpiqen ta etnizojnë, sepse ai ka për qëllim të shpëtojë jetë njerëzish.
– Politikanët që janë në një entuziazëm romantik mendojnë se, nëse i etnizojnë edhe të ndjerët që fatkeqësisht kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut, duhet të shihen përmes prizmit të përkatësisë etnike.
Ajo që mund të them është se pas realizimit të projektit “Qyteti i Sigurt” nuk do të ketë më një numër të madh viktimash nga aksidentet e trafikut. Kjo qeveri vendosi ta vërë projektin në funksion me qëllim që të shpëtojë jetë njerëzish, pa u udhëhequr nga statistika matematikore se kush i përket cilës përkatësi etnike dhe pa e interpretuar metodologjinë me të cilën për të ndjerët përcaktohet përkatësia etnike. Ky projekt ka për detyrë të shpëtojë sa më shumë njerëz, theksoi Kryeministri Mickoski.

