Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në ndeshjen e futbollit Amerikan, Super Bowl këtë vit, duke thënë se arsyeja kryesore është distanca e gjatë për të udhëtuar.
“Është thjesht shumë larg. Do të shkoja. Kam marrë ftesa shumë të mira për Super Bowl, më pëlqejnë ata. Do të shkoja po të ishte pak më afër”, ka thënë Trump në një intervistë për New York Post.
Super Bowl do të mbahet më 8 shkurt në stadiumin Levi’s, në San Francisko.
Gjatë mandatit të tij të dytë, Trump ka qenë i pranishëm në shumë ngjarje të mëdha sportive, përfshirë ndeshje të UFC-së, US Open, turneun e golfit Ryder Cup, ndeshjen tradicionale Army-Navy, si dhe një lojë të New York Yankees.
Megjithatë, finalja më e madhe e futbollit amerikan këtë vit nuk është në agjendën e tij.
Ani pse Trump e lidhi mungesën e tij me fluturimin e gjatë, ai ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj artistëve që do të performojnë në pushimin mes dy pjesëve të lojës në Super Bowlit, yjet Bad Bunny dhe Green Day, të cilët kanë mbështetur ish-zëvendëspresidenten, Kamala Harrisi në zgjedhjet e vitit 2024.
“Jam kundër tyre. Mendoj se është një zgjedhje e tmerrshme. Gjithçka që bënë është të përhapin urrejtje. E tmerrshme”, ka thënë Trump për New York Post.
Pas njoftimit të artistëve në muajin tetor, Trump ka deklaruar për NewsMax se nuk kishte “dëgjuar kurrë” për Bad Bunnyn, pavarësisht se këngëtari portorikan ka rreth 84 milionë dëgjues mujorë në platformën Spotify, duke e quajtur zgjedhjen “qesharake”.
Bad Bunny ka folur më herët për frikën se koncertet e tij në SHBA mund të përballeshin me ndërhyrje nga autoritetet e emigracionit.
Nga ana tjetër, këngëtari kryesor i gripit muzikor, Green Day, Billie Joe Armstrong, ka kritikuar hapur administratën Trump, duke e quajtur atë “një qeveri fashiste” dhe duke u thënë fansave gjatë një koncerti: “Na takon neve të luftojmë kundër saj”.
Gjatë paraqitjeve të tij në ngjarje sportive, Trump ka marrë reagime të përziera nga publiku. Në finalen e meshkujve të US Open në stadiumin Arthur Ashe në New York, si dhe në Yankees Stadium, ai u përball me duartrokitje, por edhe me fishkëllima.
Një tjetër arsye që mund të ketë ndikuar në vendimin e Trumpit për të mos shkuar në Super Bowl është fakti se ai nuk ka prona në San Francisko. Kur udhëton, ai rrallë qëndron në hotele që nuk lidhen me bizneset e tij.

