Nga dita e nesërme, dinari i Serbisë nuk do të jetë i pranueshëm për sistemin bankar të Kosovës.
Për këtë çështje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbledhur disa ministra të qeverisë serbe në një takim urgjent në presidencë për, siç thuhet nga “Politika”, “t’u marrë vesh mbi hapat e mëtejmë që Beogradi do t’i marrë” për këtë çështje.
Më herët, Vuçiqi takoi edhe ambasadorët e shteteve të Quint-it, por që nuk pati prononcime për media pas takimit.
Edhe aty u tha se temë diskutimi ishte çështja e ndalimit të dinarit në Kosovë.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës që ta shtyjë fuqizimin e vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb, mirëpo qeveria nuk ka pranuar.
Në një konferencë për media ditën e sotme, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Rregullorja e re e BQK-së, nuk fut monedhë të re në qarkullim, megjithatë, konfirmoi se ajo hyn në fuqi të enjten e 1 shkurtit, me tranzicion të lehtësuar, ashtu edhe siç është paraparë, transmeton klankosova.tv.
Ai tha më tej se implementimi i Rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe as dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës se një shteti tjetër.
“Rregullorja e BQK-së nuk flet për përdorimin ose jo të dinarit, apo ndonjë monedhe tjetër. Ajo flet për rregullimin e valutës. Sepse ne kemi monedhën më të fuqishme, Euron”, tha Bislimi.