Asambleisti i LVV-së në Junik, Lulzim Gacaferi, ka kërkuar që asambleistëve të kësaj komune t’u bëhet narko-testi.
Gacaferi ka thënë se politika nuk është rehabilitim për dështuesit dhe as strehë për të varurit nga substancat narkotike.
“Ajo është përgjegjësi, jo eksperiment narkotik. Vendimmarrja publike kërkon mendje të kthjellët, karakter të pastër dhe të fortë, si edhe përgjegjësi të lartë. Kush nuk i ka këto, duhet të largohet pa kushte”, ka thënë Gacaferi.
Ndërsa u ka bërë thirrje mekanizmave relevant të shtetit që të veprojnë menjëherë, pa justifikime dhe pa heshtje, për testim dhe verifikim urgjent të të gjithë asamblistëve të Kuvendit të Junikut.
“Me qëllim që të ndahet i ndershmi nga narkomani! Qytetarët nuk duhet të jenë pengje të papërgjegjshmërisë dhe nuk duhet të përfaqësohen nga konsumues të substancave narkotike, por nga njerëz të aftë dhe të shëndoshë të përkushtuar për vendin. Asambleja është tempull i demokracisë dhe i interesit publik, jo strehë për psikonarkomanë, papërgjegjshmëri dhe degradim institucional. Heshtja është bashkëfajësi. Zgjohuni”, ka thënë ai.

