VLEN: Pas ndarjes rezident–jorezident, BDI dhe Taravari duan ta zhdukin diasporën edhe nga votimi!

2 Min. Leximi

Deklaratat e Arben Taravarit dhe bashkëpartiakut të tij, Isen Shabanit, për dështimin e censusit në Gostivar dhe Vrapçisht janë hipokrizi e pastër dhe tentativë për të fshehur fajtorin e vërtetë, Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj, Ali Ahmetin.

Të flasësh sot për “lista të papastruara” dhe për “5–6 mijë të vdekur në lista zgjedhore”, ndërkohë që BDI për 20 vite ka fituar zgjedhje pikërisht me këto lista, është mashtrim i qëllimshëm i opinionit. Nëse listat janë problem, atëherë fajin ta kërkojnë te partneri i tyre politik, BDI-ja, e cila kurrë nuk kishte interes t’i pastronte.

Por problemi është edhe më i thellë dhe më i rrezikshëm.

Pas regjistrimit të fundit të popullsisë, BDI e ndau popullatën në rezidentë dhe jorezidentë, duke zhvlerësuar numrat realë të shqiptarëve dhe duke nxjerrë jashtë loje qindra mijë bashkatdhetarë nga diaspora. Ishte pikërisht BDI ajo që propozoi dhe votoi metodologjinë skandaloze të regjistrimit, e cila goditi drejtpërdrejt përfaqësimin e shqiptarëve në institucione.

Sot, Taravari dhe Isen Shabani po shkojnë edhe një hap më tej: pas përjashtimit të diasporës nga regjistrimi real, tani duan ta heqin edhe nga lista e votuesve. Kjo është vazhdimësi e së njëjtës politikë antishqiptare, e paketuar me retorikë të rreme për “pastrim listash”.

VLEN e bëri të qartë në takimin e fundit të liderëve:

Diaspora nuk është problem, diaspora është zgjidhje.

Përjashtimi i saj nga votimi është grusht ndaj demokracisë dhe vullnetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë.

Censusi nuk u arrit sepse BDI për dy dekada i detyroi qytetarët të largohen nga vendi, me korrupsion, kapje institucionesh dhe politikë të mbyllur klanore. Sot, të njëjtët njerëz kanë paturpësinë ta përdorin mërgimin si alibi për dështimet e tyre.

Problemi nuk ra nga qielli, por BDI e krijoi atë, Taravari e mbron këtë problem, ndërsa neve si VLEN na mbet që ti rregullojmë gabimet e tyre.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull