ASHMAA u bën thirrje influencerëve dhe youtuberëve të regjistrohen, këto janë kriteret

2 Min. Leximi

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA)  njoftoi se me ndryshimet e legjislacionit mediatik në korrik të vitit 2023, për herë të parë u njoh zyrtarisht ekzistenca dhe ndikimi i influencerëve, vlogerëve, krijuesve të përmbajtjes dhe youtuberëve, përkatësisht personave fizikë që janë ofrues të shërbimeve mediatike audiovizuele sipas kërkesës. Këta subjekte tashmë i nënshtrohen rregullimit dhe kanë obligim të regjistrohen në ASHMAA, transmeton Portalb.mk.

Nga ASHMAA njoftojnë se ky obligim vlen për ata influencerë, vlogerë, krijues të përmbajtjes, youtuberë dhe ofrues të ngjashëm të shërbimeve mediatike audiovizuele sipas kërkesës, të cilët i plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  • shërbimet mediatike audiovizuele i ofrojnë përmes platformave për shpërndarjen e videove (si YouTube, Instagram, TikTok dhe të ngjashme);
  • kanë më shumë se 10.000 ndjekës ose abonentë;
  • realizojnë interes ekonomik nga shërbimi mediatik;
  • gjatë 12 muajve të fundit kanë publikuar së paku 24 përmbajtje audiovizuele; dhe
  • qëllimi i tyre është të informojnë, edukojnë ose argëtojnë, ndërsa për përmbajtjet mbajnë përgjegjësi redaktoriale.

Kriteret shpjegohen më në detaje në Rregulloren e Agjencisë, e cila përcakton formën dhe përmbajtjen e aplikimit për evidentim në Regjistrin e ofruesve të shërbimeve audiovizuele sipas kërkesës.

“Duke qenë se bëhet fjalë për obligim ligjor, Agjencia i fton të gjithë influencerët, vlogerët, krijuesit e përmbajtjes dhe youtuberët që i plotësojnë kriteret e lartpërmendura, që në afatin sa më të shkurtër të dorëzojnë aplikim për evidentim në Regjistër”, thonë nga ASHMAA.

Të gjitha dokumentet relevante lidhur me veprimtarinë dhe obligimet e këtyre subjekteve janë të disponueshme në faqen zyrtare të internetit www.avmu.mk, në banerin e veçantë “Influencerë/Vlogerë”.

Për informacione shtesë dhe sqarime, subjektet e interesuara mund t’i drejtohen Agjencisë në adresën elektronike: [email protected].

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull