Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka vlerësuar lart vizitën e studentëve dhe nxënësve në Kuvend, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së rinisë në jetën institucionale dhe demokratike të vendit.
“Edhe në një ditë intensive pune, Kuvendi sot u mbush me energji rinore”, ka shkruar Gashi, duke bërë të ditur se institucionin ligjvënës e vizituan studentë nga Universiteti “Nënë Tereza”, si dhe nxënës nga shkolla e mesme “Nace Bugjoni” nga Kumanova dhe shkolla fillore “Liria” nga Çashka.
Sipas kryeparlamentarit, këto vizita e përmbyllën javën me një frymë pozitive dhe dëshmuan se Kuvendi mbetet një institucion i hapur për të rinjtë. “Kjo vizitë e përmbylli javën me frymë pozitive, duke dëshmuar se Kuvendi është gjithmonë i hapur për rininë”, theksoi Gashi.
Ai shtoi se kontaktet e drejtpërdrejta të nxënësve dhe studentëve me institucionet janë të rëndësishme për ndërtimin e kulturës demokratike dhe për nxitjen e interesimit të tyre për proceset vendimmarrëse dhe jetën publike në vend.

