Shkruan: Skender MUSLIU
Edhe pak ditë, Kosovën e ndajnë nga zgjedhjet e reja, e të cilat do mbahen këtë të dielë, më 28 dhjetor.
Mirëpo, së fundi, vendi jonë mori disa lajme të mira nga aleatët ndërkombëtarët.
Së pari, u njoftuar për heqjen e të gjitha masave ndëshkuese që BE ia kishte vendosur Kosovës, e më pas erdhi edhe lajmi për miratimin e ligjit të ri nga Trump, i cili përjashtoi qartë çdo opsion që synon shkëmbime territoriale, ndarje apo rishikim të kufijve mbi baza etnike si zgjidhje për mosmarrëveshjet rajonale.
E për këto zhvillime, për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Si fillim, ai u shpreh se, partnerë më të besueshëm se Kurti dhe Osmani në Kosovë, ndërkombëtarët nuk mund të gjejnë.
“Përveç kryeministrit Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, si dy partner të kalibrit botëror, me autoritet dhe integritet të pacënuar, që vendosën shtetin e së drejtës në Kosovë, faktori ndërkombëtar, partnerë tjetër më të sigurt, kredibil, të besueshëm dhe ekuivalent, nuk do të kishte mund të gjejë në opozitën e Kosovës. Vetëm këta dy politikanë, në këto momente kritike gjeostrategjike, do të mund të kontribuojnë në anëtarësimin e Kosovës në institucionet më relevante ndërkombëtare, para se gjithash, mendoj në anëtarësimin e Kosovës në NATO, Këshillin e Europës, marrjen e statusit kandidat për në BE, Interpol, dhe jo vetëm, që me PLAN-in nuk do të ndodhte”.
Krahas kësaj, Musliu përmendi edhe masat e padrejta ndëshkuese që BE ia vendosi Kosovës, e që fatmirësisht ditë më parë i larguan.
Sipas tij, largimi i sanksioneve erdhi si pasojë e fushatës së presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, në samite, konferenca të ndryshme ndërkombëtare.
Madje, tha se dyshja Kurti-Osmani kanë bërë një punë të madhe në zhvillimin e shtetit në shumë aspekte dhe fusha të ndryshme.
“Edhe pse Kosovës iu vendosën masat e padrejta nga Komisioni Europian, madje duke mos i respektuar procedurat për vendosjen e tyre, ditë më parë ky institucion një pjesë i largoi menjëherë, kurse pjesa tjetër kah fundi i janarit 2026. Heqja e këtyre masave, ka ndodhur falë një fushate intenzive në arenën ndërkombëtare të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Kurti, të cilët një kohë të gjatë janë prezent, si asnjëherë më parë, nëpër të gjitha Forumet, Konferencat, Samitet, dhe jo vetëm, në Europë, SHBA dhe shtete tjera, ku në mënyrë dinjitoze dhe të spikatur e kanë përfaqësuar dhe prezentuar Kosovën, si shtet të ri demokratik, duke i dhënë shembull edhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor. Vetëm puna e palodhur e binomit të çmuar Osmani – Kurti, ka bërë të mundur që Kosova nga ndërkombëtarët të konsiderohet si storie suksesi, si shtet i së drejtës, ku luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar. Vetëm puna e tyre, ka mundësuar që Kosova nga shumë aspekte dhe fusha të ndryshme, të avancojë në vlerësime dhe renditje të lartë ndërkombëtare, duke lënë pas shumë vende të zhvilluara, sikurse nga aspekti i sigurisë, ambientit të volitshëm për investime të huaja, për Ligj dhe Rend, mbrojtjen e lirive dhe drejtave të njeriut, dhe jo vetëm. E jo sikurse në të kaluarën e hidhur kur binomi famëkeq H.Thaqi – I. Mustafa, që shkatërruan institucionet, rrënuan ekonominë, plaçkitën pasuritë dhe asetet e Kosovës, cunguan sovranitetit në Veri të Kosovës (që Kurti e ktheu), tentuan t’a ndajnë Kosovën (që Kurti e ndaloi), formuan Gjykatën Speciale, Zajendicën (që Kurt ishte kundër dhe nuk i vototi), falën tokë Maqedonisë, Malit të Zi ( që nuk i votoi), me ligj amnestuan strukturat kriminale serbe (që Kurti i shpalli si organizata terroriste dhe i shporri nga Kosova)……..”, theksoi ai.
Gjithashtu, juristi nga Belgjika tha se falë punës së dy udhëheqësve të shtetit u mbrojt sovraniteti dhe territori i Kosovës.
Këtu, ai e ndërlidhi edhe me ligjin e ri të Trump, i cili i dha fund idesë së ndarjes së Kosovës.
“Falë këmbëngulësisë dhe punës së vyeshme dhe konstruktive në mbrojtje të rendit kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, presidentja Osmani dhe Qeveria Kurti, bashkë me mërgatën në SHBA, kanë kontribuar që Kosova të avancohet nga « Preference diplomatik » në « Ligj Federal », që presidenti Trump e nënshkroi ditë më parë. Në këtë ligj, përveç tjerash, trajtohet edhe Kosova, e cila merret nën mbrojtje të SHBA-ve, së pari, duke i dhënë fund definitivisht ndarjes së Kosovës, së dyti, dialogu Kosovë – Serbie duhet të përfundojë me njohje reciproke, dhe së treti, shpejtimin e procedurave dhe kohës për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ky ligj i jep fund financimit dhe lobimeve për ndarjen e Kosovës nga tradhtarët dhe pazargjinjtë e PLAN-it, të cilët ndër vite punuan kundër interesave të Kosovës”.
Më tej, Musli shtjelloi rëndësinë e miratimit të ligjit të r inga Trump, ku njëherësh vlerësoi se administrata amerikane më shumë e ka vlerësuar punën e Kurtit dhe Osmanit, se sa të Grenell, Borell, Lajçak…
“Po ashtu, dekretimi i Ligjit mbi Autorizimet e Mbrojtjes Kombëtare nga presidenti Donald Tramp, i ka kompromituar dhe demaskuar manipulimet dhe propagandën shumvjeçare të PLAN-it në ndërtimin e narrativën së rreme, kinse kryeministri Kurti i paska prishur raportet me SHBA-të. Tani e tutje opozita nuk do të mund më t’a përdorë këtë narrativë manipuluese kundër Kurtit. Mirëpo nga kjo distancë kohore, ky ligj, po n’a jep të kuptojmë se, Kurti me veprimet e tij, në veçanti në veri të Kosovës, ku vendosi sovranitetin e humbur nga viti 1999, rendin dhe ligjin, mbylli të gjitha komunat paralele të Serbisë, bankat, postat dhe institucionet ilegale serbe, dhe jo vetëm, edhe përkundër kritikave të ndëkombëtarëve, i paska ndërtuar, e jo prishur, raportet me SHBA-të. Respektivisht, po n’a rezulton se, administrata amerikane më shumë e ka vlerësuar punën konstruktive të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, sesa demagogjinë dhe propagandën e politikanëve dhe diplomatëve të fuqishëm si, Grenell, Pallmer, Mogherini, Borell, Lajçak, si dhe punën destruktive të PLAN-it”.
Krahas kësaj, ai potencoi se përkundër të gjitha sfidave globale të cilat prekën shumë vende të botës, konsideroi se Qeveria Kurti, është ndër qeveritë më të suksesshme të pasluftës.
“Me bindje të thellë mund të them se, sikur të kishte qenë në pushtet PLAN-i, SHBA-të më parë do t’i sanksiononte, sesa t’i merrte nën mbrojtje ata, sepse SHBA-të i kanë të gjitha informacionet nga shërbimet e inteligjencës amerikne dhe NATO-s, për korrupsionin dhe krimin e organizuar në shkallë industriale të PLAN-it dhe qeverisjen e tyre si një bandë e organizuar kriminale, prandaj edhe SHBA-të ishin iniciatorët dhe sponsorët kryesor të Gjykatës Speciale.
Dhe mos të harrojmë se, edhe përkundër krizave globale gjatë Qeverisë Kurti, kur bota u përballë me pandeminë e covid 19, agresionin e Rusi mbi Ukrainën që shkaktoi krizë globale ekonomike, krizën energjetike, shto kësaj obstruksionet e vazhdueshme të PLAN-it në Kuvend, bllokadën nëntë mujore institucionale, konsideroj se Qeveria Kurti, është ndër qeveritë më të suksesshme të pasluftës, por edhe në Ballkanin Perëndimor”, nënvizoi juristi.
Ndër të tjera, ai shpreson se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, qytetarët të ndëshkojnë partitë e PLAN-it, për dëmet që ia kanë shkaktuar vendit. Ndërsa, beson se qytetarët do dijnë të vlerësojnë punën e Kurtit e Osmanit.
“Në gjykimin tim, nuk do të kisha preferuar që në pushtet të vijnë partitë që qëllimisht, për shkaqe karrieriste dhe inateve primitive politike, në mënyrë të organizuar bllokuan formimin e institucioneve më vitale të shtetit, që refuzuan koalicionin me LVV-në me çka do të konstituohej edhe Kuvendi edhe Qeveria, dhe do të evitoheshin zgjedhjet e parakohshme, që refuzuan miratimin e Planit për Rritje të BE-së, të disa marrëveshjeve ndërkombëtare me Bankën Botëore, që refuzuan miratimin e buxhetit të RTK-ës, komunës së Prishtinës, Gjilanit, dhe jo vetëm. Në këtë kontekst, të theksoj se, Komisioni Europian ia largoi masat e padrejta shtrënguese Kosovës, kurse PLAN-i i mbajti ato për inati të Kurtit, mirëpo dëmi bie drejtpërdrejtë mbi qytetarët që dëmton rëndë mirëqenien e tyre.
Personalisht, shpresoj dhe dua të besoj se, qytetarët do të dinë t’i vlerësojnë të arriturat e Qeverisë Kurti dhe kontributin e presidentes Osmani, dhe t’a shpërblejnë këtë qeverisje me dhënjen e votave në mënyrë plebishitare, kurse PLAN-in t’a ndëshkojnë për punën destruktive, të këqijat dhe dëmet që ia shkaktoi Kosovës ndër vite”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

