Arta Bilalli Zendeli: BDI propozon Marrëveshje Kombëtare për Përparim

2 Min. Leximi
Screenshot

Zëdhënësja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arta Bilalli Zendeli, deklaroi se Kongresi i Pestë i partisë, i mbajtur në një klimë të tensionuar politike dhe akuzash të ndërsjella, zgjodhi një qasje ndryshe duke ofruar, siç tha ajo, “shpresë në vend të frikës dhe bashkëpunim në vend të ndarjeve”.

Sipas Bilalli Zendelit, në vend të thellimit të polarizimeve dhe nxitjes së pasigurive, Kongresi propozoi Marrëveshjen Kombëtare për Përparim, një iniciativë që synon ndërtimin e një konsensusi të gjerë shoqëror për zhvillimin e vendit.

“Kjo nismë nuk është partiake dhe as etnike. Ajo është një platformë mbarëshoqërore, mbi partitë dhe mbi konfliktet artificiale, që synon t’i japë fund narrativave të frikës dhe stagnimit,” u shpreh zëdhënësja e BDI-së.

Ajo theksoi se për vite me radhë vendi, sipas saj, ka qenë i mbërthyer nga polarizime të prodhuara qëllimisht dhe “frikëra fiktive”, çka ka sjellë mungesë perspektive dhe emigrim masiv. “Ka ardhur koha të ndërpritet ky absurd politik,” tha Bilalli Zendeli.

Sipas saj, Marrëveshja Kombëtare për Përparim parashikon bashkëpunimin e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, politikës, shoqërisë civile, biznesit dhe akademisë për të ndërtuar konsensus në fusha kyçe si zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe cilësia e jetës.

“Kjo marrëveshje nuk synon të menaxhojë frikën, por të krijojë shpresë; jo të prodhojë konflikte, por mundësi; jo të ruajë status quo-në, por të hapë perspektivë për brezat që sot po largohen nga vendi,” theksoi ajo.

Në fund, zëdhënësja e BDI-së bëri thirrje për më shumë marrëveshje dhe më pak ndarje, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për ndërtimin e një konsensusi të ri kombëtar për prosperitetin.(INA)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull