Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka prezantuar zyrtarisht një nga zotimet kryesore të programit të tij zgjedhor, digjitalizimin e shërbimeve komunale, përmes lansimit të aplikacionit mobil “NPK Ambienti”.
Aplikacioni është realizuar në kuadër të projektit “BE CLEAN BE GREEN – BËHU I PASTËR, BËHU I GJELBËRT”, i financuar nga Fondet IPA në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedoni e Veriut – Kosovë, ndërsa është dizajnuar dhe zhvilluar nga kompania “Catertech Solution”.
Sipas kryetarit Beqiri, ky aplikacion përfaqëson një hap konkret drejt modernizimit të administratës komunale, rritjes së transparencës dhe përmirësimit të komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Aplikacioni “NPK Ambienti” është i disponueshëm për përdoruesit e Android dhe iOS dhe u mundëson qytetarëve që në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë të raportojnë parregullsi në territorin e komunës, të lokalizojnë deponi të egra dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit.
“Ky aplikacion synon të krijojë një lidhje më efikase ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve komunale, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve dhe në ruajtjen e mjedisit jetësor”, thuhet në njoftimin e kryetarit Beqiri.
Ai ka ftuar qytetarët që ta shkarkojnë aplikacionin dhe të bëhen pjesë aktive në ndërtimin e një Haraçine më të pastër, më funksionale dhe më të gjelbër.
Aplikacioni “NPK Ambienti” mund të shkarkohet në:
• Google Play
• App Store
Me këtë iniciativë, Komuna e Haraçinës shënon një tjetër hap konkret drejt digjitalizimit dhe ofrimit të shërbimeve moderne për qytetarët.

