Ibrahimi: Spiropali na tregoi se jemi minoritet, por nuk na tregoi se ashtu na ka bërë “lideri flokëbardhë”

2 Min. Leximi

Ish-kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar përmes një statusi publik ndaj deklaratave të shefes së diplomacisë shqiptare Elisa Spiropali lidhur me pozitën e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se ky realitet është i njohur prej kohësh dhe i sanksionuar në Kushtetutë, raporton alfax.mk.

“Shefja e diplomacisë shqiptare nuk tha diçka që ne nuk e kemi ditur”, shkruan Ibrahimi, duke shtuar se sa herë që e ka artikuluar këtë çështje, është përballur me sulme dhe akuza.

“Se ‘shqiptarët në RMV janë minoritet’, këtë e dimë, znj. Spiropali”, thekson ai.

Ibrahimi kujton se ky përcaktim nuk është rastësor, por buron drejtpërdrejt nga rendi kushtetues pas Marrëveshjes së Ohrit.

“Pyetja është se a e dini ju se ne jemi definuar kështu në preambulën e kushtetutës së dalë nga Marrëveshja e Ohrit dhe se ajo kushtetutë është bërë pas konfliktit të vitit 2001?”, shkruan ai.

Në statusin e tij, ish-kreu i Alternativës ngre edhe përgjegjësi politike për këtë situatë, duke aluduar në rolin e udhëheqësve shqiptarë të asaj kohe.

“Si u bë që edhe pas luftës së UÇK-së, pas gjithë atyre dëshmorëve të rënë dhe pas gjithë atij dëmi që e shkakton secila luftë, shqiptarët të futen në konflikt si minoritet dhe të dalin prapë si minoritet?”, pyet ai.

Sipas Ibrahimit, problemi thelbësor nuk është statusi formal, por arsyet dhe përgjegjësit për ruajtjen e tij.

“Pra, pyetja themelore nuk është ‘A jemi minoritet?’, porse ‘Pse jemi minoritet dhe kush na ka lënë minoritet?’” thekson ai.

Në përmbyllje, Ibrahimi e mbyll reagimin e tij me një referencë letrare, duke cituar Ernest Hemingway-n.

“Dhe, mos pyet për kë bie kambana!”, përfundon reagimin e tij Ibrahimi.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull