Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar në Bruksel aty ku do të marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të rajonit.
Osmani sot është intervistuar nga televizioni “Euronews” aty ku mes të tjerash ka folur rreth perspektivës evropiane të Kosovës.
Kryetarja e shtetit të Kosovës tha se fati i Kosovës është Bashkimi Evropian për të cilin, sipas saj, Kosova ka punuar prej shumë kohe.
Intervista e Osmanit në Euronews:
A do të anëtarësohet Kosova në BE?
Gjithsesi. Është fati ynë, është diçka për të cilën ne kemi punuar për shumë kohë. Kemi aplikuar para ca viteve dhe po shpresojmë që të jemi në tryezën e Këshillit shumë, shumë shpejt. Në fakt, si një identitet, një shtet dhe një komb, ne kemi kontribuar në vlerat, pas të cilave Bashkimi Evropian ka qëndruar për shekuj. Edhe pse besojmë se është një proces kompleks, nëse kriteri me bazë në meritë do të ishte përdorur, Kosova do të ishte duke kryesuar tani. Por, është e komplikuar për shkak të pesë vendeve që nuk na njohin, për të cilët shpresojmë se do të kuptojnë se nëse Kosova bëhet pjesë e Bashkimit nuk do të përfitojnë vetëm popullsia e Kosovës, por, është edhe me rëndësi strategjike për të tërë kontinentin.
Reformat?
Nëse shohim këndvështrimin e BE-së, Kosova është në 100% përputhje me politikat e Bashkimit Evropian për sigurinë e huaj, qoftë sanksionet ndaj Rusisë ose keqbërësve të tjerë të botës perëndimore. Në aspektin e sundimit të ligjit ne jemi kryesues. Duke u bazuar në indekset ndërkombëtare si ai i bërë nga Gallup International, Kosova është e para në Evropë në indeksin e sundimit të ligjit. Është e treta në botë kur bëhet fjalë për luftën e krimit dhe korrupsionit. Ky ka qenë prioritet për institucionet tona dhe tani kemi indeksin më të ulët të korrupsionit në rajon. Pra, këto janë disa nga çështjet për të cilat kemi punuar shumë. Në aspekt të reformave ekonomike, prapë bazuar në raporte të Bashkimit Evropian, ne jemi më të mirët në rajon. Në aspekt të reformave administrative, jemi më të mirët në rajon. Sigurisht, kemi disa ‘detyra shtëpie’ që të përfundojmë, por, nëse nuk do të kishte pasur komplikime politike që kanë të bëjnë me reformat, do të ishim gjithsesi shtet i parë në rajon.
Ukraina?
Ne përkrahim anëtarësimin Ukrainës në Bashkimin Evropian, siç thashë, kjo shkon përtej reformave të brendshme në shtetet përkatëse. Nëse dëshirojmë që Evropa të jetë e plotë, e lirë dhe në paqe, e cila ishte ëndrra e themeluesve, ne duhet të ecim para. Dhe sigurisht, do të donim që Ukraina të përfundonte të gjitha reformat që nevojiten edhe për neve të tjerëve. Është me rëndësi sigurie gjithashtu. Armiqtë si Kina, Rusia dhe Irani nuk lënë hapësirë pa përdorur. Pra, nuk ka vakum, nëse BE dhe marrëdhëniet transatlantike nuk ndikojnë në Ballkanin Perëndimor, atëherë dikush tjetër do të vijë. Jo për të bërë bamirësi, por, sepse kanë interes strategjik. Prandaj, duhet të sigurohemi që Ukraina dhe Ballkani Perëndimor të ecin para. /Kosovapress

