Kryeministri i deritanishëm Dimitar Kovaçevski ia dorëzoi pozitën kryetarit të qeverisë kalimtare, Talat Xhaferit, i cili do të drejtojë vendin për 100 ditë.
“Sot realizuam pranim-dorëzimin e postit të kryetarit të Qeverisë së RMV-së në përputhje me obligimet ligjore për organizimin e një qeverie teknike, detyra kryesore e së cilës është organizimi dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira, demokratike dhe të ndershme presidenciale dhe parlamentare. Të gjitha politikat e nisura duhet të zbatohen plotësisht dhe vazhdimisht. Pres përkushtim në punë, përqendrim të të gjithëve në Qeveri dhe në këtë drejtim besoj se puna do të jetë në nivelin më të lartë”, tha Kovaçevski.
Ai apelon që të gjitha subjektet politike që nga sot do të jenë në Qeveri ta kenë të gjithë kontekstin aktual.
“I bëj thirrje Qeverisë dhe të gjithëve në të, pavarësisht nga përkatësia partiake, të punojnë në interes të qytetarëve, ekonomisë, sigurisë dhe stabilitetit. Qeveria arriti të krijojë një sistem që funksionon në kohë krize, politikat janë të përcaktuara, masat janë të qarta, pres që të gjithë të tregojnë një vullnet të qartë politik për të mbështetur dhe ruajtur stabilitetin ekonomik dhe politik dhe të zbatojnë në mënyrë paqësore, të drejtë dhe demokratike zgjedhjet, ashtu siç i përshtaten një shteti anëtar të NATO-s dhe një shteti që ka filluar negociatat me BE-në”, theksoi Kovaçevski.
Sipas tij, dy vitet e fundit nuk kanë qenë aspak të lehta.
“Ishin vite të një krize jashtëzakonisht të madhe evropiane dhe madje globale ekonomike dhe energjetike, por pavarësisht kësaj, ne bëmë shumë dhe nuk lamë askënd të qetë,” tha Kovaçevski.
Kujtojmë se dje për herë të parë në historinë e vendit, me 65 vota për” dhe 3 “kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në krye të një Qeverie zgjodhi një shqiptar, përkatësisht Talat Xhaferin. Kjo Qeveri, do të duhet t’i organizojë zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe presidenciale në 100 ditët e ardhshme. Në këtë përbërje me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të, Punës dhe Politikës Sociale do të udhëheqin kuadrot e VMRO-DPMNE-së opozitare, e cila nuk e votoi qeverinë. 65 votat, mbështetëse për Xhaferin kryeministër erdhën nga partia e tij amë, BDI, partia pushtetare maqedonase LSDM e cila në vete ka dhe disa parti tjera më të vogla partnere, por edhe nga partia Aleanca për Shqiptarët e cila prej marsit të vitit të kaluar ka hyrë në qeveri. Me një votë, kontribuoi edhe partia e posaformuar Partia Demokratike Evropiane nga i larguari nga Lëvizja Besa, Arianit Hoxha, me deputetin e saj Bastri Bajrami. Ashtu sikur PDE, votoi edhe Skender Rexhepi, deputeti i cili gjithashtu formoi Lëvizjen Populli, pasi u largua nga partia Alternativa. Tre deputetët e vetëm që votuan kundër ishin Pavle Trajanov – lider i Lidhjes Demokratike, i cili deri para ca kohësh ishte partner qeveritar. Atij iu shoqëruan edhe dy deputetët e partisë proruse në vend, Levica, kryetari Dimitar Apasiev dhe kolegu i tij Borisllav Krmov.
Xhaferi në këtë funksion nuk do të ketë kompetenca të plota, por teknike apo kompetenca të cunguara.
Qeveri teknike zakonisht krijohet për të kryer një (një) detyrim specifik, për një periudhë kohore të përcaktuar saktësisht, me fuqi vendimmarrëse rreptësishtë të kufizuara. Kryeministri teknik nuk mund të përdorë “të drejtat” e qeverisë politike – të propozojë ambasadorë, drejtorë të ndërmarrjeve publike nën juridiksionin e qeverisë, anëtarë në borde drejtuese.
Votimi i qeverisë teknike u përcoll me interes të jashtëzakonshëm nga mediat, sidomos shqiptare, përfaqësuesit e të cilëve prej shteteve të rajonit sot qëndrojnë në Shkup, për shkak të peshës historike që Xhaferi i cili dikur mbante petkun e UÇK-së së shpallur terroriste nga shteti, sot të ulet në karrigen e kryeministrit.