Debati mbi rritjen e pagës minimale nuk është thjesht një çështje politike apo retorike është tregues i zhvillimit ekonomik, i drejtësisë sociale dhe i kapacitetit shtetëror për të krijuar kushte të qëndrueshme për qytetarët dhe bizneset. Deklarata e deputetit të LSDM-së, Fatmir Bytyqi, si dhe reagimi i VLEN lidhur me rritjen ekonomike, shpalosin dy dimensione të një realiteti që nuk mund të anashkalohet pagat dhe ekonomia janë të lidhura ngushtë dhe kërkojnë ndërhyrje të mençura, shkruan Zhurnal.
Paga minimale si nevojë urgjente jo luks politik –
Deputeti i LSDM-së, anëtarë në Komisionin për Financa dhe Buxhet në Kuvend, Fatmir Bytyqi, e ka ngritur qartë çështjen e rritjes së pagës minimale duke e paraqitur atë si nevojë të dyanshme edhe për punëtorët, edhe për bizneset. Në një treg pune ku migrimi është fenomen i përditshëm dhe ku mungesa e fuqisë punëtore është bërë barrë për zhvillimin e kompanive, paga minimale e ulët nuk është thjesht problem social është pengesë ekonomike.
“Po, paga minimale duhet të rritet. Edhe bizneset kanë theksuar se është seriozisht e nevojshme të rritet paga minimale, në mënyrë që të mbahen punëtorët në vend dhe të sigurohet stabilitet për njerëzit që janë thelbësorë për kompanitë. Qeveria duhet të ndërhyjë përmes modeleve të ndryshme, të cilat janë të njohura dhe të aplikuara në mbarë botën, sepse nuk mund të mbrohet vetëm njëra palë biznesi. Edhe punëtorët duhet të jenë të mbrojtur”, deklaroi Bytyqi
Ai shtoi se vizioni i tij është që çdo punëtor të marrë një pagë dinjitoze, duke theksuar se rritja e pagës minimale nga 9.000 në 23.000 denarë në të kaluarën është shembull i politikave të tilla.
Rritja ekonomike prej 3.8% sinjal pozitiv –
Nga ana tjetër, VLEN thekson rritjen prej 3.8% të BPV-së në tremujorin e tretë si tregues se masat ekonomike po japin efekt. Pa dyshim, një rritje e tillë është sinjal i mirë si për stabilitetin, ashtu edhe për proceset e nisura në ekonomi. Ministria e Ekonomisë dhe Punës, nën drejtimin e Besar Durmishit, sipas VLEN, ka orientuar politikat drejt investimeve dhe krijimit të vendeve të reja të punës element thelbësorë për një rritje të qëndrueshme.
Por rritja ekonomike, sado pozitive të jetë, nuk duhet parë si shenjë e mjaftueshmërisë. Pyetja thelbësore është se a po reflekton kjo rritje në mirëqenien e qytetarëve? Nëse të ardhurat e punëtorëve nuk rriten paralelisht me rritjen e BPV-së, atëherë përfitimet e ekonomisë mbeten të mbyllura brenda sektorëve të kufizuar.
Ndërveprimi i domosdoshëm mes pagave dhe investimeve –
Argumenti i Bytyqit për ndërhyrje të qeverisë me modele të aplikuara globalisht është shumë i qëlluar. Asnjë ekonomi nuk mund të përparojë kur njëra palë biznesi apo punëtorët mbrohet në mënyrë të njëanshme. Politikat moderne ekonomike funksionojnë mbi parimin e balancimit me çka rritja e pagës minimale mbron punëtorët, ndërsa subvencionet, kreditë e buta dhe programet e përkrahjes ndihmojnë bizneset të përballojnë koston. Dhe ky balancim nuk është utopi është praktikë botërore.
Në këtë kontekst, rritja e pagës minimale nuk është barrë por motor që mban të rinjtë në vend, nxit kërkesën, forcon bizneset dhe ndërton një ekonomi më të drejtë e më të qëndrueshme. Qytetarët sot kanë nevojë më shumë se asnjëherë për një rritje të dinjitetshme që lehtëson jetën në praktikë. /Zhurnal.mk

