Prova e parë për korrupsionin!

11 Min. Leximi

Betimi i kryetarit të ri të KSHPK nuk erdhi vetëm si akt formal institucional, por si fillimi i një prove të rëndë politike dhe morale për sistemin shtetëror. Adem Çuçul e nis mandatin në kohën kur korrupsioni vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme për publikun, ndërsa akuzat politike dhe skandalet financiare po e bombardojnë institucionin që duhet t’i hetojë ato qysh në ditën e parë

Ersan PAJAZITI & Anëmsha SHABANI

Shkup, 4 dhjetor – Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit e gjen vendin në një realitet ku korrupsioni nuk perceptohet më si problem abstrakt, por si pengesa kryesore që po i largon të rinjtë nga vendi dhe po e zbeh çdo shpresë për integrim në Bashkimin Evropian. Anketat më të fundit dhe deklaratat zyrtare në institucionet vendase e ndërkombëtare tregojnë një panoramë të errët, ku korrupsioni është bërë pjesë e përditshmërisë, ndërsa besimi tek institucionet ka rënë në nivele historikisht të ulëta.

“Përballja me euroskepticizmin rinor”, i prezantuar në Kuvend, konfirmon se gjendja është alarmante. Studimi, i përpunuar nga IDUEP, Fondacioni “Fridrih Nauman” dhe Qendra Evropiane për Përsosmëri tregon se pothuajse gjysma e të anketuarve nuk besojnë se vendi do të anëtarësohet ndonjëherë në BE. Vetëm 6.7 për qind mendojnë se kjo mund të ndodhë brenda pesë viteve të ardhshme, ndërsa 35.8 për qind e shohin këtë si një mundësi të largët. Në fokus të zhgënjimit është korrupsioni, të cilin 84.6 për qind e të rinjve e identifikojnë si pengesën më të madhe për integrimin evropian.

Ndërkaq, nga hulumtimi i projektit “Të rinjtë në RMV – hallka kryesore në ndërtimin e shoqërisë pa korrupsion”, rezulton se 54 për qind e të rinjve janë përballur personalisht me korrupsion. Mbi 30 për qind deklarojnë se janë ndeshur me blerje diplomash, ndërsa 24.3 për qind me blerje notash. Vetëm 8 për qind kanë besim se institucionet në vend janë duke luftuar realisht kundër korrupsionit.

Në anën tjetër të spektrit politik, deklaratat zyrtare mbeten të kujdesshme dhe shpesh të orientuara drejt pritjeve diplomatike. Bashkautori i publikimit dhe drejtori i “ECE Bruksel”, Bojan Kordalov, tha se të rinjtë janë për BE-në, por po humbasin gjithnjë e më shumë shpresën se Maqedonia së shpejti do të bëhet vend-anëtar. Sipas tij, rikthimi i besimit fillon me luftën kundër korrupsionit, që ai e quan “themelin e çdo procesi të integrimit”.

Koordinatorja e Klubit për Çështje Rinore dhe Politika në Kuvend, deputetja Dragana Bojkovska, u përpoq të japë një ton optimist, duke theksuar se në buxhetin e vitit 2026 për herë të parë është paraparë një artikull i posaçëm për demografinë dhe migrimin,me më shumë se një milion euro që do të ndërmerren fushata dhe masa për të kthyer mendjet e reja nga jashtë dhe për të mbajtur të rinjtë në vend, sidomos investimet në arsim. Por këto premtime bien ndesh me realitetin e treguar në raporte, ku korrupsioni në arsim është ndër problemet kryesore.

KRYETARI I RI I KSHPK MES PRITSHMËRIVE PUBLIKE DHE PËRPLASJEVE POLITIKE

Me fjalë për integritet dhe transparencë, por nën trysninë direkte të partive politike dhe akuzave milionëshe, kryetari i ri i Antikorrupsionit përballet menjëherë me dilemën thelbësore: a do të jetë KSHPK institucion realisht i pavarur, apo thjesht një tjetër arenë për përballje politike. Kryetari i ri i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul, sot dha betimin solemn para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, duke e marrë zyrtarisht detyrën në një moment kur institucioni që drejton pritet të përballet me presione politike, hetime të ndjeshme dhe pritshmëri të larta publike në luftën kundër korrupsionit. Pas betimit, Çuçul tha se mandati i tij do të bazohet në transparencë, përgjegjësi institucionale dhe integritet profesional, duke garantuar se KSHPK nuk do të jetë spektatore e proceseve, por aktore aktive në parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit.

“Për mua paraqet nder të jem kryetar i institucionit në të cilin jam rritur profesionalisht. Por njëkohësisht kjo paraqet një përgjegjësi shumë të madhe duke i pasur parasysh sfidat serioze me të cilat përballet si Komisioni, ashtu edhe shteti në fushën e luftës kundër korrupsionit. Si kryetar i KSHPK-së do të angazhohem për punë transparente, për funksionim profesional dhe për vendimmarrje të bazuar në ligj dhe fakte”, deklaroi Çuçul.

Ai theksoi se, krahas transparencës së brendshme të institucionit, ekipi i tij do të kërkojë llogaridhënie nga të gjitha organet shtetërore dhe bartësit e funksioneve publike. “Ne jemi institucion që e promovon integritetin dhe do të kërkojmë që integriteti të promovohet dhe të avancohet në të gjitha institucionet. Pa integritet institucional dhe personal nuk ka luftë të suksesshme kundër korrupsionit. Vetëm me institucione të forta dhe bartës të përgjegjshëm të funksioneve publike mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më rezistente ndaj korrupsionit”, shtoi Çuçul.

FOKUS NË DIGJITALIZIM DHE KONTROLL MË TË FORTË TË PASURISË

Duke folur për prioritetet konkrete të punës, kreu i ri i Antikorrupsionit theksoi se KSHPK do të punojë në rritjen e efikasitetit përmes digjitalizimit dhe përmirësimit të mekanizmave parandalues. “Vlerësimet e Komisionit Evropian janë të tilla siç janë dhe nuk mund të mohohen. Si kryetar i KSHPK-së do të angazhohem që t’i përmirësojmë këto vlerësime. Kjo nuk është punë e shpejtë dhe as e lehtë – kërkon shumë mund, kapacitete profesionale dhe përkushtim të vazhdueshëm. Digjitalizimi dhe përforcimi i veglave parandaluese do të jenë ndër prioritetet kryesore të mia”, theksoi Çuçul.

Ai shtoi se aktualisht është në fazë përgatitjeje Strategjia e re Nacionale për Luftë Kundër Korrupsionit, e cila po përpilohet në proces gjithëpërfshirës. “Strategjia e re po përgatitet në mënyrë inkluzive, me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve relevantë në shtet. Ajo duhet të jetë dokument që zbatohet dhe nuk mbetet në sirtar, për dallim nga e kaluara. Me këtë mekanizëm do të synojmë t’i eliminojmë dobësitë sistemore që gjenerojnë korrupsion”, deklaroi Çuçul.

Një nga prioritetet kyçe, sipas tij, do të jetë kontrolli më i rreptë i gjendjes pasurore të funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar. “Kontrolli i pasurisë është një nga dobësitë e konstatuara në raportet e Komisionit Evropian dhe është rekomandim i drejtpërdrejtë i GRECO-s. Ne do ta rrisim proaktivitetin tonë në këtë fushë dhe do të punojmë që kontrolli të mos jetë formal, por substancial”, theksoi kryetari i ri i KSHPK-së. Çuçul u zgjodh kryetar i Komisionit unanimisht në Kuvend, me 82 vota “për”, një fakt që, sipas tij, duhet të shihet si përgjegjësi shtesë dhe jo vetëm si mandat politik.

OPOZITA KËRKON VEPRIM TË MENJËHERSHËM: RASTI “DIGITAL ONE”

Vetëm disa orë pas marrjes së detyrës, kreu i ri i Antikorrupsionit u përball me kërkesën e parë konkrete politike. LSDM opozitare kërkoi që KSHPK të hapë lëndë për rastin e tenderëve të fituar nga kompania “Digital One”. Sipas LSDM-së, bëhet fjalë për një aferë të dyshuar korruptive në vlerë prej rreth 9 milionë euro, përmes disa kontratave të fituara nga institucione shtetërore gjatë këtij viti. “Kryetari i ri i Antikorrupsionit nuk ka nevojë për informacion shtesë. E gjithë dokumentacioni tashmë është publik dhe është dorëzuar në mënyrë zyrtare në KSHPK. Duhet vetëm të hapet lënda, të lexohet kallëzimi dhe të veprohet. Këtu bëhet fjalë për para të qytetarëve dhe për një rast me dyshime serioze për korrupsion”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Sipas opozitës, kompania që ka fituar tenderët është themeluar vitin e kaluar dhe ka vetëm dy të punësuar, ndërsa brenda gjashtë muajve ka fituar gjashtë kontrata publike – katër prej Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, një nga ESM dhe një nga Ministria e Administratës. “Kompani e re, pa kapacitet real njerëzor, arrin të fitojë tenderë milionësh. Kjo për ne është alarm për korrupsion të organizuar në nivelet e larta të pushtetit”, shkruan LSDM në reagim.

VMRO KUNDËRPËRGJIGJET: AKUZA PËR KORRUPSIONIN E ISH-PUSHTETIT

Nga ana tjetër, partia në pushtet VMRO-DPMNE doli me akuza të reja ndaj ish-zyrtarëve të LSDM-së dhe BDI-së, duke hedhur dyshime për, siç thonë ata, “afera të rënda korruptive të pushtetit të kaluar”. VMRO-DPMNE e akuzon ish-zëvendëskryeministrin për luftë kundër korrupsionit, Ljupço Nikollovski, se në vend që ta luftonte korrupsionin, e ka prodhuar atë. “Ljupço Nikollovski, në vend që ta parandalonte korrupsionin, ka ndërtuar skema korruptive me klanin e Zaevëve. Ai, si njeri i ngarkuar për luftë kundër korrupsionit, është shndërruar në mekanizëm për realizimin e interesave private”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE-së.

Sipas kësaj partie, falja e 2.000 tonëve grurë nga rezervat shtetërore, me vlerë rreth 800 mijë euro, është bërë nga Zoran Zaev dhe Venko Filipçe, ndërsa Nikollovski dyshohet se ka kthyer “kundër shërbim” përmes dhënies së një granti prej 1.4 milionë euro nga fondet IPARD për kompani të lidhura me familjen Zaev. “Këto nuk janë akuza politike, por fakte që kërkojnë përgjigje. Prokuroria Publike duhet të hapë procedura dhe të hetojë çdo skemë të dyshuar korrupsioni”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. Me këto zhvillime, mandati i kryetarit të ri të KSHPK-së nis nën hijen e përplasjeve të forta politike dhe akuzave të ndërsjella për korrupsion. (koha.mk)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull