Murtezani në Berlin: Interes në rritje i kompanive gjermane për investime në Maqedoninë e Veriut

2 Min. Leximi

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka zhvilluar një vizitë pune në Berlin, ku mori pjesë në një panel-diskutim të organizuar nga Klubi Gjermano-Maqedonas i Biznesit. Fokus i takimit ishte perspektiva e investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik me bizneset gjermane.

“Sot në mbrëmje në Berlin mora pjesë në panel diskutimin mbi mundësitë për investime të huaja në Maqedoninë e Veriut, të organizuar nga klubi i biznesit Gjermano-Maqedonas,” tha Murtezani në një publikim në rrjetet sociale. Ai shtoi se në takim është diskutuar për “perspektivat ekonomike, stabilitetin të cilin po e ndërtojmë dhe për rritjen e interesit të kompanive gjermane për vendin tonë.”

Gjatë qëndrimit në Berlin, ministri u takua edhe me komunitetin shqiptar dhe maqedonas që jeton në Gjermani. Sipas tij, ky takim ishte një tjetër dëshmi e rolit kyç që ka diaspora në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Më pas u takova edhe me komunitetin tonë në Gjermani. Në diskutimet u konfirmua sërish sa rol të rëndësishëm ka diaspora për ndërlidhjen e ndërsjellë dhe për ndërtimin e besimit në mes dy shteteve”, theksoi ai.

Murtezani nënvizoi se Strategjia Nacionale për Bashkëpunim me Diasporën 2025–2030 është një hap i rëndësishëm drejt qasjes më sistematike dhe më të organizuar ndaj shtetasve që jetojnë jashtë vendit.

“Strategjia nacionale për bashkëpunim me diasporën për periudhën 2025–2030 është pikërisht hap drejt qasjes më sistematike, më të organizuar dhe më të hapur ndaj të gjithë bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit”, deklaroi ai.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull