Elbasani, qyteti i parë që shpalli Pavarësinë 113 vjet më parë

2 Min. Leximi

Më 25 nëntor 1912, Elbasani u bë qyteti i parë që shpalli Pavarësinë, duke vendosur gurin e parë në themelin e shtetit të ri shqiptar.

113 vjet më parë, 35 patriotë nga Elbasani dhe trevat përreth u mblodhën për të shpallur Pavarësinë e qytetit në Shqipërinë e Mesme, duke ngritur të parët flamurin kombëtar dhe duke i paraprirë aktit historik të 28 nëntorit në Vlorë.

Aqif Pashë Elbasani, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ismail Qemalit, luajti rol kyç si në kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912, ashtu edhe në organizimin e çetës së Elbasanit.

Ai, së bashku me popullin e qytetit dhe me mbështetjen e Ismail Qemalit, ngriti flamurin kombëtar më 25 nëntor 1912, duke shpallur i pari Pavarësinë dhe duke i dërguar një mesazh të qartë ushtrisë serbe që po afrohej, se ajo kishte hyrë në territore të një Shqipërie tashmë të pavarur.

Rruga drejt Pavarësisë së Shqipërisë ishte e mbushur me pengesa dhe drama historike. Kryengritjet shqiptare të viteve 1910–1911 shërbyen si hyrje e natyrshme e ngjarjes së madhe të vitit 1912, duke dëshmuar vendosmërinë e shqiptarëve për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane.

Në atë kohë, një rrezik tjetër po afrohej me shpejtësi, ushtria serbe po zbriste në trojet shqiptare dhe po i afrohej Elbasanit, duke e vënë qytetin përballë domosdoshmërisë për të vepruar shpejt.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull