Një histori suksesi që vjen nga fshati Sllatinë po bën bujë ndërkombëtare. Talenti vetëm 9-vjeçar Dijar Idrizi , pjesëmarrës në programin edukativ Brain the Brain, ka vendosur një rekord të ri botëror në Dubai, duke zgjidhur një numër të jashtëzakonshëm detyrash matematikore brenda vetëm 3 minutave raporton Tetovasot.
Gjatë garës ndërkombëtare, ku morën pjesë qindra fëmijë nga vende të ndryshme të botës, vogëlushi nga Sllatina dëshmoi një shpejtësi të pazakontë mendore, përqendrim të hekurt dhe aftësi të jashtëzakonshme logjike. Juria ndërkombëtare e vlerësoi performancën si “brilante dhe shumë premtuese për të ardhmen”.
Ky sukses është rezultat i punës së palodhur, talentit të lindur dhe trajnimit të vazhdueshëm në programin Brain the Brain, që ka për qëllim zhvillimin e kapaciteteve kognitive te fëmijët e moshave të reja.
Ky rezultat e ngriti lart jo vetëm fëmijën dhe familjen e tij, por edhe mbarë komunitetin shqiptar, duke dëshmuar se potenciali i fëmijëve tanë është i pakufishëm kur ka përkushtim, mbështetje dhe mundësi të duhura.
Fëmija nga Sllatina tashmë është shpallur zyrtarisht ndër më të mirët në botë, duke shkruar një kapitull të ri suksesi për vendin. Një arritje që frymëzon dhe motivon të gjithë fëmijët që ëndërrojnë të ndriçojnë me talentin e tyre.

