Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul paralajmëroi sot se çdo bisedë paqeje me Rusinë duhet të përfshijë si Kievin ashtu edhe vendet evropiane dhe se duhet të paraprihet nga një armëpushim për t’u dhënë negociatave shans të drejtë, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët në Bruksel, Wadephul shprehu shqetësim lidhur me lajmet se presidenti i SHBA-së Donald Trump ka miratuar një propozim paqeje prej 28 pikash të zhvilluar me Rusinë, i cili do të kërkonte lëshime të konsiderueshme nga Ukraina.
“Çdo negociatë për armëpushim dhe zhvillim paqësor në Ukrainë mund të diskutohet dhe negociohet vetëm me Ukrainën. Dhe Evropa duhet të përfshihet në këtë”, tha Wadephul.
“Ne mirëpresim çdo iniciativë për të hyrë në negociata. Por, parakushti i parë është që Vladimir Putini të përfundojë luftën e tij të agresionit kundër Ukrainës, që ne të arrijmë armëpushim pa parakushte”, shtoi ai.
I pyetur lidhur me kufizimet e mundshme mbi forcat ushtarake ukrainase sipas propozimit të paqes, Wadephul tha se çdo marrëveshje sigurie duhet të garantojë sovranitetin e Ukrainës.
“Kjo duhet të diskutohet me Ukrainën, por duhet të jetë arkitekturë sigurie që garanton sigurinë e ardhshme të Ukrainës. Ne duhet të nxjerrim mësime nga përvoja e Minskut. Duhet të jetë e qartë se Ukraina mund të ruajë sovranitetin e saj”, tha ministri gjerman duke iu referuar marrëveshjeve të kaluara të armëpushimit të hartuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainën lindore.

