Londër
Shumica e britanikëve nënvlerësojnë ndjeshëm se sa shumë sëmundjet e rënda mendore (SMI) shkurtojnë jetën, sipas një hulumtimi të ri që tregon se publiku beson se ato ulin jetëgjatësinë rreth shtatë vjet – ndërkohë që shifra reale është afërsisht 15 deri në 20 vjet, transmeton Anadolu.
Studimi, nga “King’s Health Partners”, “Maudsley Charity” dhe Instituti i Politikave në “King’s College London”, paralajmëron se kjo “krizë e fshehur shëndetësore” prek më shumë se gjysmë milioni njerëz në Mbretërinë e Bashkuar që jetojnë me kushte si skizofrenia, psikozat dhe çrregullimi bipolar.
Vetëm një në nëntë (11 për qind) e të anketuarve ka identifikuar saktë shkallën e diferencës në vdekshmëri.
Në realitet, sëmundjet e rënda mendore shkurtojnë jetën më shumë se diabeti, obeziteti i rëndë ose pirja e duhanit – që zakonisht ulin jetëgjatësinë deri në dhjetë vjet.
Anketa me mbi 2.000 të rritur gjithashtu ka gjetur keqkuptime të gjera mbi shkaqet e vdekjes së hershme tek personat me SMI.
Gjysma (50 për qind) e të anketuarve gabimisht beson se vetëvrasja është arsyeja kryesore, megjithëse ajo përbën vetëm rreth 9 për qind të vdekjeve shtesë. Sipas hulumtimit, pak njerëz e kuptojnë se sëmundjet kardiovaskulare dhe ato të frymëmarrjes janë shkaqet kryesore.
Ndërgjegjësimi për pabarazitë është po aq i ulët: vetëm 14 për qind e dinë që SMI-të janë më të zakonshme mes afrikano-britanikëve dhe karaibo-britanikëve, ndërsa më pak se gjysma e dinë që ajo lidhet me varfërinë dhe jetesën në zona urbane.
Megjithatë, ekziston mbështetje e fortë publike për veprim – dy të tretat (67 për qind) thonë se nevojitet kujdes më i mirë shëndetësor për të përmirësuar jetëgjatësinë për personat me SMI.
Opinionet janë të ndara nëse një ndryshim i tillë është i arritshëm ose duhet të jetë prioritet për Shërbimin Kombëtar të Shëndetit (NHS).
Studimi gjithashtu nxjerr në pah një ndryshim në perceptimet më të gjera mbi shëndetin mendor.
Shëndeti mendor dhe kanceri tani konsiderohen si sfidat më të mëdha shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, secili përmendur nga rreth 45 për qind e publikut.
Ndërsa shumica (72 për qind) i konsiderojnë shëndetin mendor dhe atë fizik të barabartë në rëndësi, më pak se një e treta (33 për qind) besojnë se sistemi i kujdesit shëndetësor i trajton në këtë mënyrë.
Profesori Matthew Hotopf, zëvendësdrejtor ekzekutiv në “King’s Health Partners”, ka thënë: “Personat me sëmundje të rënda mendore përballen me një nga pabarazitë më të mëdha shëndetësore të kohës sonë, duke vdekur 15 deri 20 vjet më herët. Megjithatë, gjetjet tona tregojnë se publiku ka pak ndërgjegjësim për shkallën e këtij hendeku në vdekshmëri, ose se ai shkaktohet kryesisht nga sëmundje fizike të trajtueshme. Kjo krizë e fshehur shëndetësore kërkon vëmendje urgjente dhe ‘King’s Health Partners’ është i përkushtuar të nxisë këtë ndryshim”.

