Në prag të zgjedhjeve lokale, Bahkim Hasani ka ndarë qëndrimin e tij për të ardhmen politike të Gostivarit. Ai thekson se qyteti ka nevojë për zhvillim real dhe jo për eksperimente politike. Sipas tij, një kandidat nga BDI do të ishte më i dobishëm për qytetin sesa ai nga ASH. Megjithatë, Hasani thekson se zgjidhja më e mirë do të ishte një kryetar nga radhët e VLEN-it.
“Gostivari përsëri në prag të zgjedhjeve lokale!
Për vetë qytetin, më shëndetshëm do të ishte një kandidat nga BDI, sesa nga ASH.
Nëse kandidati i BDI-së arrin të fitojë kundrejt kandidaturave tjera, ndoshta nuk do të ishte perfekt, por me siguri do të ishte më pak i dëmshëm për Gostivarin se sa ata që në 8 vite nuk bënë asnjë punë konkrete, përveç borxhit të komunës prej 20 milion euro.
E them këtë sepse në të kaluarën, kur qytetin e udhëhiqte kryetar nga radhët e BDI-së, punohej në projekte konkrete dhe kapitale, pa borxhe.
👉 Megjithatë, edhe më perfekte do të ishte që Gostivari të drejtohej nga një kryetar nga radhët e VLEN-it, sepse me qeverisjen e deritanishme në nivel qendror, u dëshmua se puna jep rezultat, dhe kjo frymë duhet të vazhdojë edhe në nivel lokal, me projekte kapitale dhe zhvillim real për qytetin.
Qyteti nuk ka nevojë më për eksperimente dhe pazare politike. Ka nevojë për punë që lënë gjurmë, për projekte që ju shërbejnë qytetarëve dhe gjeneratave të reja që duan një Gostivar ndryshe dhe shumë më të mirë”, shkruan Hasani në rrjetet e tij sociale.

