Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave fyese, stigmatizuese dhe të papërgjegjshme të gazetarit Nevrij Ademi, të bëra në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, lidhur me rastin tragjik të vdekjes së studentes nga Kosova në Tetovë.
Sipas RrGGK-së, Ademi përdori gjuhë denigruese dhe paragjykuese ndaj viktimës, duke bërë pretendime të pabazuara dhe duke shpërndarë informacione që cenojnë rëndë etikën profesionale, dinjitetin njerëzor dhe parimet e raportimit të përgjegjshëm mediatik.
“Deklarata të tilla jo vetëm që cenojnë rëndë dinjitetin e viktimës dhe dhimbjen e familjes së saj, por edhe përforcojnë stereotipe dhe gjuhë gjykuese ndaj grave, duke kontribuar në stigmatizimin dhe viktimizimin e tyre në hapësirën publike,” thuhet në reagimin e RrGGK-së.
RrGGK kujton se gazetarët dhe mediat bartin përgjegjësi të lartë shoqërore, veçanërisht kur raportojnë për raste të ndjeshme që lidhen me jetën dhe vdekjen e një personi. Organizata e cilëson përdorimin e gjuhës paragjykuese dhe pa bazë faktike si joprofesional dhe të dëmshëm për besimin e publikut në media.
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës kërkon nga Klan Kosova që të heq menjëherë përmbajtjen fyese nga platformat e saj dhe të kërkojë publikisht falje për transmetimin e deklaratave që cenojnë integritetin e viktimës dhe shkelin kodin e etikës së mediave.
Në përmbyllje, RrGGK thekson se do të vazhdojë të monitorojë me vëmendje mënyrën e raportimit për raste që prekin dinjitetin e grave dhe vajzave, duke kërkuar përgjegjësi profesionale dhe njerëzore nga çdo medium dhe gazetar në vend.

