Afan Elezi: VLEN nuk përfaqësohet nga figurat e vjetra që ndërrojnë ngjyra sipas interesit

1 Min. Leximi

Eksponenti politik i koalicionit VLEN, Afan Elezi, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale ndaj disa ish-përfaqësuesve të afërt me sistemin e mëparshëm politik, të cilët, sipas tij, po përpiqen të afrohen me subjektin e ri politik.

Elezi theksoi se disa “hyzmeqarë të ish-sistemit të Aliut” sot po shfaqen nëpër studio televizive, duke dhënë vlerësime politike për çdo parti, ndërsa në prapaskenë “nuk lënë derë pa trokitur”.

“Së fundmi, njëri prej tyre po përpiqet t’i vardiset VLEN-it, ndoshta me shpresën se do të gjejë vend për veten. Por të jemi të qartë: VLEN nuk përfaqësohet nga këso figurash. Ne besojmë në njerëz me karakter dhe me moral publik, e jo në ata që ndërrojnë ngjyrat sipas interesit personal”, shkruan Elezi.

Në vijim, ai thekson se dera e VLEN-it është “e gjerë për njerëzit me vlera, por po aq e ngushtë për figurat destruktive që përfaqësojnë antivlera dhe mentalitetin e vjetër politik”.

Postimin e tij Elezi e mbyll me mesazhin se VLEN është ndryshe dhe se “aty fillon politika me dinjitet, jo aty ku mbaron ndërgjegjja”.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull