Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka folur për bashkëpunimin me Federatën e Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe presidentin e saj të ri, Masar Omeragiç, duke dhënë mesazhe vlerësuese dhe duke theksuar raportet shumë të mira mes dy institucioneve.
Duka u shpreh se pavarësisht ndryshimit në drejtim, marrëdhëniet mes FSHF-së dhe FFM-së mbeten solide dhe korrekte:
“Njerëzit ndryshojnë, por federatat jo. Duhet të kenë raporte korrekte dhe të mira. FSHF dhe FFM të tilla i kanë pasur gjatë gjithë kohës, aq më shumë që jemi komshi dhe kemi halle të njëjta. Pavarësisht se është ndërruar presidenti dhe jo federata, marrëdhëniet qëndrojnë të njëjta. Kanë qenë stabile.”
Ai theksoi se njohja e tij me Omeragiç është e hershme, duke kujtuar rolin e tij të mëparshëm në struktura:
“Me presidentin e ri Masarin, njihemi personalisht, sepse ai ka qenë anëtar i Komisionit Ekzekutiv të Federatës që në kohën e Harit. Ka pasur ambicie që atëherë të bëhet president i FFM-së dhe erdhi dita të jetë president.”
Duka vlerësoi figurën dhe kontributin e Omeragiç, duke e cilësuar një profil me formim sportiv dhe vizion për zhvillimin e futbollit:
“Masar Omeragiç është një ish-futbollist, me dëshirë për ta zhvilluar futbollin në Maqedoninë e Veriut. Raportet tona janë korrekte dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla.”
Deklarata e Dukës konfirmon një linjë bashkëpunimi të konsoliduar mes dy federatave ballkanike, të cilat synojnë avancimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin e eksperiencave në zhvillimin e futbollit.

