Ministri i Punëve të Jashtme i Sirisë, Asaad Hassan Al-Shaibani, tha se me mbështetjen e Turqisë, Siria njeh Kosovën si shtet të pavarur, transmeton Anadolu.
Në një postim në platformën sociale të kompanisë amerikane X, kryediplomati sirian ndau lajmin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë, Republika Arabe Siriane njofton njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, duke riafirmuar respektin për sovranitetin dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje”, shkroi ai.
Shaibani theksoi se Damasku pohon respektin e tij për vullnetin dhe aspiratat e popullit të Kosovës dhe pret me padurim zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Damaskut dhe Prishtinës në një mënyrë që promovon stabilitetin dhe respektin e ndërsjellë midis kombeve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, dje bëri të ditur se Siria e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Osmani e ka falënderuar presidentin sirian Ahmed Al-Sharaa për vendimin për njohjen e Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për Kosovën.
Me njohjen e Sirisë, tani Kosova njihet nga 120 shtete të botës.

