Dehari për përgjimet: Përdoren materiale të montuara, të fabrikuara dhe plotësisht të pavërteta

2 Min. Leximi

Pas publikimit të përgjimeve për kandidatin për komunën e Kërçovës, Fatmir Dehari, ka reaguar ky i fundit që siç tha, materialet e publikuara janë të montuara e të pavërteta dhe shtoi se, kanë për qëllim cenimin e jetës së tij private, përcjell TV21. Dehari tha se këto veprime janë me motive politike dhe personale që sipas tij, nuk është e rastësishme që ndodhi në afërsi të zgjedhjeve. Ai bëri të ditur se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta zbardhur rastin.

REKLAMIM I PAGUAR POLITIK

“Në ditët e fundit, po përballem me një fushatë të ulët shantazhi dhe manipulimi, e cila synon të dëmtojë personalisht dhe politikisht figurën time. Në këtë fushatë përdoren materiale të montuara, të fabrikuara dhe plotësisht të pavërteta, që cenojnë jetën time private dhe përpiqen të prishin marrëdhëniet me njerëzit e mi të afërt dhe me qytetarët që më njohin prej vitesh. Nuk është rastësi që gjithë kjo ndodh pikërisht tani, në prag të një procesi të rëndësishëm politik. Ky inskenim ka një qëllim të qartë , të demoralizojë mbështetësit tanë dhe të favorizojë VMRO-DPMNE-në dhe kandidatin e saj, në përpjekje për të marrë Kërçovën përmes shpifjeve dhe manipulimeve. Këto veprime janë të orkestruara me motive të qarta politike dhe personale. Unë nuk do të lejoj që shpifjet, montimet apo presionet e çfarëdo forme të më ndalin në rrugën time për të shërbyer me përkushtim qytetarëve të Kërçovës. Kam ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë të nevojshëm për të zbardhur plotësisht këtë rast dhe për të mbrojtur dinjitetin tim, familjen time dhe institucionin që përfaqësoj. I falënderoj të gjithë qytetarët, bashkëpunëtorët dhe miqtë që më njohin për njeriun që jam dhe që nuk bien pre e gënjeshtrave. E vërteta mund të vonojë, por ajo gjithmonë del në dritë. Me dinjitet dhe qetësi ,vazhdoj punën për Kërçovën”, tha Fatmir Dehari.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull