Mexhiti thumbon Osmanin: Mos u zgjo në ora 5 të mëngjesit, zgjoi drejtorët e tu që s’kanë lëvizur gishtin!

2 Min. Leximi

Gjatë debatit në emisionin “Top Tema”, u hap edhe çështja e pastërtisë në Komunën e Çairit, ku kandidatët për kryetar komune shpalosën vizionet e tyre për menaxhimin e mbetjeve dhe gjelbërimin publik.
Kandidati i AKI-së, Bujar Osmani, tha se si kryetar komune do të zgjohej herët në mëngjes për t’u dhënë detyra ekipeve të pastrimit, në mënyrë që komuna të jetë më e pastër.
Në këtë pikë reagoi kandidati i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, i cili e kritikoi Osmanin se nuk mund të flasë për pastërti në Çair, kur drejtorët e ndërmarrjeve publike që e mbulojnë këtë fushë janë nga radhët e partisë së tij.
“Mendoj se më e dobishme do të ishte që Bujari, në vend se të zgjohej në ora 5 të mëngjesit, t’u rrinte mbi kokë drejtorëve nga partia e tij në Parqe dhe Gjelbërim, Higjienë Komunale e Drislla. Sikur ata të kishin bërë punën e tyre, nuk do të kishim sot ekocid në nivel qyteti dhe në Çair”, tha Mexhiti.
Ai kujtoi se pastërtia e komunës është nën ingerencat e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, ku drejtori është nga BDI, njësoj si në “Parqe dhe Gjelbërim”, ku sipas tij 80 për qind e të punësuarve janë administratorë dhe vetëm 20 për qind punëtorë terreni, të cilët nuk kanë marrë paga prej tre muajsh.
“Drejtori i Higjienës Komunale është i yti, drejtori i Parqe dhe Gjelbërim është i yti. Po të merreshe me këta drejtorë, nuk do të kërkoje sot vota për të bërë aksione pastrimi në Çair”, tha Mexhiti.
Ai shtoi se gjatë këtij muaji të fushatës, Osmani ka pasur mundësi të shtrëngojë drejtorët e partisë së tij që të punojnë realisht për komunën, por atë nuk e ka bërë.

REKLAMIM I PAGUAR POLITIK

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull