Deputeti i VLEN-it, Bekim Sali, ka reaguar pas arrestimit të Fatmir Shehollit në Kosovë nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), duke përgëzuar institucionin për profesionalizmin dhe përkushtimin në mbrojtje të interesave kombëtare, raporton alfax.mk.

Në një postim në rrjetet sociale, Sali shkroi:
“Urime AKI-së së Kosovës për profesionalizmin dhe angazhimin në mbrojtje të interesave kombëtare. Arrestimi i individëve që bashkëpunojnë me struktura armiqësore është dëshmi e një pune të përkushtuar”.

Ai shtoi me ironi se ndryshe nga AKI-ja e Kosovës, AKI-ja e Maqedonisë së Veriut, dmth Aleanca Kombëtare për Integrim, koalicion ku bën pjesë edhe partia e Ali Ahmetit, BDI, duhet të jetë “në zi” pas arrestimit të Shehollit, duke aluduar në lidhje të dyshimta të këtij të fundit me qarqe të afërta me pushtetin në Shkup.
“Sa keq për AKI-në e Maqedonisë së Veriut – humbja e një ‘aseti të çmuar’ si Fatmir Sheholli duhet t’i ketë lënë boshllëk të madh në raportet me ‘vëllazërinë’ e vjetër”, përfundoi Sali.