Posta e Maqedonisë së Veriut më shumë shpenzon se sa fiton, kështu thonë të dhënat e vetë Postës, sipas të cilave në vitin 2022, ka humbur afër 4 milionë euro, ndërkaq në vitin 2023 më shumë se 1.7 milionë euro. Drejtoresha e Postës, Bujare Abazi thotë se këtë minus duhet ta subvencionojë Qeveria, pasi që Posta është në pronësi të shtetit. Nga ana tjetër, pritet që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të vendosë nëse do ta ndihmojnë postën, shkruan Portalb.mk.
Posta e Maqedonisë e cila është në pronësi të shtetit dhe ndër vite funksionon me vështirësi, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në shërbimet postare për çka qytetarët në vazhdimësi ankohen për vonesën e letrave dhe porosive të tyre.
Portalb.mk bisedoi me drejtoreshën e Postës së Maqedonisë së Veriu Bujare Abazi, e cila tregoi për vështirësitë e Postës, hapat që ajo i ndërmerr dhe situatën aktuale të Postës.
Drejtoresha Abazi ka ardhur në pozitën e drejtorit të Postës së Maqedonisë në mars të vitit 2023 pas shkarkimit të Vasko Stefanov-it. Sipas Abazit, kur ajo është emëruar në këtë pozitë, Posta veçmë ka pasur borxhe të mëdha prej të cilave ajo deri në maj të vitit 2023 ka arritur të paguajë borxhe në vlerë prej 4.2 milionë euro.
Sipas Abazit, një nga problemet me të cilin Posta po përballet prej vitit kaluar është se Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e ka subvencionuar Postën edhe pse instituti është në pronësi të shtetit. Abazi informoi se janë në bisedime me Qeverinë për subvencionimin e Postës dhe aktualisht pritet nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të vendosë nëse do ta pranojnë kërkesën e Postës për subvencionim.
“Ka mbetur që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të vendosë nëse Qeveria do të subvencionojë Postën e Maqedonisë, për shkak se kishin disa kundërshtime”, informuan nga Posta.
Drejtoresha e Postës, Abazi për Portalb.mk gjithashtu siguroi edhe të dhëna për gjendjen financiare të Postës për vitin 2022 dhe 2023. Të hyrat e Postës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2022 kanë arritur vlerën prej rreth 13 milionë euro, ndërsa të hyrat e Postë për vitin 2023 shënojnë mbi 14.2 milionë euro.
Ndërsa sa u përket shpenzimeve, ajo informoi se janë munduar që edhe ato ti ulin sa kanë mundësi, por ajo theksoi se shpenzimet e Postës janë esenciale si për rrymë elektrike dhe paga.
Shpenzimet e Postës në vitin 2022 kanë arritur vlerën e 16.9 milionë euro ndërsa në vitin 2023 ky numër ka qenë 16 milionë euro që shënon një ulje në shpenzimet e Postës për 925 mijë e 905 euro për dallim nga viti 2022.