Vetëvendosje sërish në përkrahje të VLEN-it në zgjedhjet në Maqedoni

2 Min. Leximi

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë sërish në përkrahje të koalicionit VLEN në zgjedhjet lokale që do të mbahen në Maqedoni të Veriut. Ka qenë ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit në Kosovë, Hysen Durmishi, që të martën mbrëma në një tubim të këtij koalicioni ka dhënë mbështetjen për njërin krah të shqiptarëve në Maqedoni.

REKLAMIM I PAGUAR POLITIK

“Këtë tetor, shqiptarët në të dy anët e kufirit marrin pjesë në zgjedhje vendimtare lokale. Në Kosovë votohet më 12 tetor, dhe atje Vetëvendosja është ajo që VLEN. Këtu votohet më 19 tetor, dhe këtu VLEN-i ju. VLEN është forca juaj. Ashtu siç po lidhet Prizreni me Tetovën me rrugë, duhet të lidheni edhe ju me VLEN-in, të bëheni bashkë dhe të fitoni bashkë. Shqiptarët nuk kanë luksin të ndahen, sepse vetëm të bashkuar bëhen faktor. Qeveria e Kosovës, Lëvizja jonë, është me ju: politikisht, kombëtarisht dhe njerëzisht. VLEN nuk është vetëm koalicion, por mundësia që zëri shqiptar të dëgjohet qartë dhe fuqishëm”, ka shkruar ai në Facebook teksa ka shtuar se e përshëndet tubimin në emër të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Rundi i parë i votimeve në zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut do të zhvillohet më 19 tetor, ndërsa i dyti do të mbahet dy javë më vonë, më 2 nëntor.

REKLAMIM I PAGUAR POLITIK

Janë dy blloqe kryesore të partive shqiptare që do të garojnë në këto zgjedhje. Bëhet fjalë për VLEN-in që ka grumbulluar disa parti dhe që është pjesë e pushtetit qendror dhe për Aleancën Kombëtare për Integrim të partive të tjera opozitare.

Lëvizja Vetëvendosje pati përkrahur publikisht koalicionin VLEN edhe në zgjedhjet e fundit në Maqedoni. Atë kohë, mbështetja ishte kritikuar nga analistë e parti të tjera duke u cilësuar si ndërhyrje në një shtet tjetër.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull