Enver Dugolli i Vetëvendosjes përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është intervistuar nga Prokuroria Speciale.

I njëjti bëhet e ditur se është paditur nga familjari i një personi të cilin ai e akuzoi për UDB-ash, përcjell Klankosova.tv.
“Në Prokurorinë Speciale: Sot u intervistova në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në cilësinë e të paditurit për “nxitje të urrejtjes…”. Padia është ngritur nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, djali i ish-oficerit famëkeq të UDB-së, Ajet Istogu, i njohur për torturat e rënda ndaj të rinjve, intelektualëve dhe punëtorëve shqiptarë gjatë viteve ’80”.

“Në vitin 1981, unë vetë përjetova dhunën e tij fizike, psikike dhe emocionale, ndërkohë që shumë të tjerë (duke përfshi edhe vetën) vuajmë pasoja të rënda dhe të përhershme shëndetësore. Edhe pse ai ka vdekur, krimet e tij mbeten të gjalla në trupat dhe shpirtrat tanë që kemi vuajtur. Krimi mbetet i gjallë edhe sot sepse nuk është ndëshkuar kurrë, qoftë edhe simbolikisht”, ka shkruar ai.
Ai tha se priste që të intervistohej siç u shpreh, “si viktimë dhe dëshmitar i krimeve të rënda të kryera ndaj të burgosurve politikë dhe gjithë shqiptarëve, deri tek masakra gjenocidale e Dubravës”.
“Nuk e kam pritur kurrë të intervistohem për këso lloj pretendime, kur gjithë jetën time kam qenë viktimë e dhunës së aparatit shtypës të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj. Unë nuk kam çfarë të tërheq nga ajo që kam deklaruar”.
“Përkundrazi, kam bërë denoncime publike dhe do të vazhdoj t’i bëj. Prokuroria do të duhej të merrej me këto dëshmi dhe fakte të dokumentuara, e jo me pretendime boshe, të cilat nuk më lëndojnë vetëm mua, por edhe qindra e mijëra atdhetarë që mbijetuan dhunën dhe torturat çnjerëzore të Serbisë dhe shërbëtorëve të saj”, ka shkruar tutje Dugolli./Klankosova.tv