Izet Mexhiti hap shtabin në Dizhon 1: “Çairi është me ne, fitorja më 19 tetor është e sigurt”

2 Min. Leximi

Dizhon 1 – Kandidati për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, sonte organizoi hapjen solemne të shtabit të tij zgjedhor, duke mbledhur mbështetës nga çdo lagje të komunës dhe duke përcjellë mesazhin e qartë se fitorja e 19 tetorit tashmë është në dorë të qytetarëve.
Në fjalimin e tij para qytetarëve, Mexhiti theksoi rëndësinë e kësaj date historike:

“19 tetori do të jetë një ditë e madhe, një ditë historike për Çairin, për qytetin tonë dhe për të gjithë shqiptarët. Fitorja jonë do të jetë madhështore, sepse kjo fitore është e qytetarëve që kanë vendosur të ecin përpara, me dinjitet dhe me shpresë.”

Ai shtoi se Çairi ka rreshtuar çdo lagje, çdo familje, çdo të ri e të re, çdo nënë dhe baba pas tij, për shkak të vizionit të qartë për një qeverisje të ndershme dhe të drejtë:

“Rruga jonë është e pastër, e ndershme dhe e vendosur për t’i sjellë Çairit qeverisjen që meriton,” tha Mexhiti, duke theksuar se mbështetja për ekipin e tij po rritet çdo ditë.

Kandidat i qartë për ndryshim, Mexhiti kritikon ashpër kundërshtarin e tij:

“Ata kanë humbur besimin e qytetarëve. Janë bërë simbol i interesave personale, i pazareve politike dhe i përçmimit ndaj njerëzve. Nuk flasin më për vizion, sepse nuk kanë. Nuk flasin më për të ardhmen, sepse janë të zhytur në të shkuarën.”

Në këtë atmosferë optimizmi dhe vendosmërie, Mexhiti siguroi mbështetësit se fitorja është e sigurt dhe se më 19 tetor Çairi do të hyjë në një epokë të re:

“Rrugëtimi ynë është i drejtë dhe fitorja jonë është e sigurt, sepse jemi një Zë!”

Hapja e shtabit në Dizhon 1 është shoqëruar me një pjesëmarrje të madhe qytetarësh, të cilët shprehën entuziazmin dhe mbështetjen e tyre për kandidatin, duke e konsideruar këtë hap një simbol të ndryshimit dhe të rikthimit të besimit në qeverisjen lokale.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull