Furnizimi me karburant i NQP-së, shpëtoi qytetarët nga kaosi i transportit publik

3 Min. Leximi

Furnizimi me karburant, shpëtoi qytetarët nga kaosi i mungesës së autobusëve të transportit publik. Megjithatë ata vazhdojnë të druajnë se mund të rikthehen pritjet e gjata dhe lufta për të gjetur një vend në autobusët e stërmbushur të transportit në Shkup.

Autobusët e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik (NQP), sipas kësaj ndërmarrje, sot qarkullojnë rregullisht por sipas qytetarëve, në disa vende përsëri ka pritje, rrëmujë dhe mungesë të transportit në disa fshatra të Shkupit.

“Jam nga Kopanica dhe atje nuk kemi autobus, udhëtojmë me fugon. Nuk vjen autobusi atje? Vjen kur ti kujtohet. E nxënësit? Nxënësit më shumë me taksi shkojnë. Si ishte sot? Jo, nuk kishte, me fugon erdha nga Kopanica. Atje vjen autobusi me numër 56”, tha një qytetar.

“Jam nga Gërreçi. Atje a ka autobus? Janë të rrallë. Ja pres por nuk ka, 15-20 minuta por nuk ka. Cilin numër e pret? Autobusin për në Saraj”, u shpreh një tjetër qytetar.

“Në mëngjes kishte autobus në kohë dhe ja tani pres 10 minuta kur do të vije nuk e di. Çfarë nëse kthehet ajo që ishte dikur? Nëse kthehet çfarë të bëjmë, janë fajtorë autoritetet e jo qytetarët apo punëtorët, ato që e udhëheqin” , deklaroi një qytetar.

“Unë jam pensionistë dhe le ta mendojnë të rinjtë por nuk është mirë kjo që po ndodhë. Në mëngjes bisedova me burrin dhe thamë se çfarë do të ndodhte nëse do të shkonim në punë, u deshtë të udhëtojë me dy autobusë e nuk ka veturë, nuk është puna e mirë por çfarë të bëjmë”, tha një qytetare.

Pavarësisht paralajmërimeve për probleme me furnizimin me naftë, sipas informatave, pasditen e djeshme autobusët e NQP-së janë furnizuar me 20 tonë karburant, të ndarë në dy bazat e autobusëve. Nga Qyteti i Shkupit një ditë më parë thanë se kompania që furnizon me karburant autobusët e NQP-së, kishte ndërprerë furnizimin, ndonëse ekziston një kontratë aktive me ndërmarrjen publike. Autoritetet komunale e akuzuan kompaninë furnizuese për përpjekje për të krijuar kaos në kryeqytet dhe paralajmëruan nisjen e procedurave për përgjegjësi materiale dhe penale. Nga ana tjetër, kompania furnizuese po ashtu reagoi duke deklaruar se NQP, ka borxhe mbi 10 milionë euro, me fatura të papaguara që prej më shumë se dy vitesh por sipas tyre, edhe më tej do të vazhdojnë me furnizimin me karburant të autobusëve të NQP-së. /Alsat.mk

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull