Kryeministri Dimitar Kovaçevski të enjten do të japë dorëheqje dhe me këtë do të japë dorëheqje e gjithë Qeveria. Qeveria e re teknike do të votohet në Kuvend të dielën (28 janar). Kovaçevski sot u ka bërë thirrje deputetëve të VMRO-DPMNE-së që të jenë seriozë dhe të votojnë Qeverinë teknike në të cilën do të kenë ministrat dhe zëvendësministrat e tyre.
“Ka kohë deri të dielën që të gjithë të mendojnë dhe të gjithë të votojnë qeverinë teknike. Askush nuk mund të sillet si një fëmijë 13 vjeç, duke thënë se do të propozoj ministra dhe nuk do të votoj. Të gjithë duhet të jenë seriozë, askund në botë nuk do të gjeni shembull ku propozoni ministra dhe kërkoni dikë t’i votojë”, tha kryeministri Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën “Viti i mundësive evropiane”.
VMRO-DPMNE në qeverinë teknike do të ketë dy ministra, për punë të brendshme dhe për punë dhe politikë sociale, dhe zëvendësministra për financa, për shoqëri informative dhe administratë dhe për bujqësi.
Të enjten dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit do të japë edhe Talat Xhaferi, i cili do të jetë kryeministër teknik deri në zgjedhje. Kryetar i ri i Kuvendit do të jetë koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski. Kuvendi do të shpallë zgjedhjet dhe do të shpërndahet më 28 shkurt.
Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj, të mërkurën, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të vendit do të mbahet më 24 prill, të mërkurën.
Më 28 janar pritet të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së, i cili nga kjo parti është propozuar Talat Xhaferi.
Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.
Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.