Kryetari i LSDM-së Venko Filipce, në një takim me qytetarët në Sveti Nikola, tha se “është e nevojshme të kthehemi te vlerat e vërteta, demokracia dhe qeverisja e drejtë në Maqedoni”, duke theksuar se një grup i vogël i VMRO-DPMNE-së e kontrollon plotësisht shtetin.
“Presidenti i parë i Qeverisë së Maqedonisë brenda Jugosllavisë dhe Presidenti i parë i Jugosllavisë pas Josip Broz-Titos erdhi nga Sveti Nikola. Tani jemi mbledhur këtu, para monumentit të tij, në një moment kur vlerat e vendosura nga lufta çlirimtare e popullit po shkatërrohen: barazia, solidariteti, demokracia. Është koha t’i kthejmë ato vlera!”, tha Filipce.
Kreu i LSDM-së theksoi rolin e partisë në vendimet më të vështira për shtetin që nga viti 1991, të cilat gjithmonë kishin për qëllim mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe shtetit, pavarësisht kostos politike.
“Ne kurrë nuk e kemi abuzuar shtetin. Ne kishim politika të mira, nga ndihma sociale deri te liritë e medias. Por nuk i shitëm mirë ato. U përballëm me një propagandë të paparë”, shtoi Filipce.
“Nuk kemi të ardhme tjetër, përveçse të gjithë së bashku – në një vend të vogël, në një qytet të vogël, ku vetëm nëse biem dakord dhe punojmë së bashku, mund të kemi sukses. Dhe kjo duhet të fillojë në nivel lokal – nga secila komunë”, tha Filipçe.