Më 7 tetor pritet aktgjykimi për Merkon lidhur me emërimet e paligjshme të drejtorëve në Strugë

3 Min. Leximi

Më 7 tetor pritet të shpallet vendimi gjyqësor ndaj kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, lidhur me dyshimet për shkelje ligjore në emërimin e drejtuesve të shkollave fillore “Vëllezërit Milladinovi” në Strugë dhe “Zini Hani” në Veleshtë. Në rastin e Veleshtës, Merko është një nga katër të pandehurit, transmeton Portalb.mk.

Sipas aktakuzës, e pandehura e parë është Egzona Shei, e cila dyshohet se ka përdorur dy dokumente publike të falsifikuara për të dhënë provimin profesional në Qendrën Shtetërore të Provimeve. Tre të akuzuarit e tjerë, mes tyre edhe Merko, kanë pranuar këto dokumente gjatë procedurës për verifikimin e kualifikimeve, punësimin e saj si mësuese dhe më pas emërimin e saj si ushtruese detyre e drejtoreshës nga 19 prilli 2022 deri më 6 shtator 2023.

- Advertisement -

“Kur postieri më solli një ftesë nga Gjykata, atëherë zbulova se kishte diçka që nuk shkonte me dokumentet që kam marrë nga Institucionet, të gjitha vërtetimet dhe dokumentet që kam marrë nga njerëzit në Institucione nuk më paralajmëronin se ishin të rreme, përndryshe nuk do t ‘i kisha përdorë”, tha Egzona Shei, ishdrejtoreshë në Shkollën Fillore, Zini Hani Veleshtë.

- Advertisement -

Paraprakisht në qershor Gjykata Themelore e Strugës i vendosi gjobë prej 10,000 eurosh në denarë Merkos, me akuzën për kryerje të pakujdesshme në shërbim, konkretisht, për parregullsi të kryera në emërimin e drejtorëve në detyrë të shkollave fillore në fshatrat Labunishtë, Radolishtë dhe Podgorcë. Ndërkohë Prokuroria Publike tashmë ka ankimuar vendimet e mëparshme të gjyqtarit Jordan Jovanov

Gjykatësi Jordan Jovanov tha se i pandehuri veproi në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Fillor, si dhe se ekzistojnë raporte dhe procesverbale nga mbikëqyrja e kryer nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit që rendisin nenet ku është shkelur ligji. Të gjithë drejtorët në këtë rast, të cilët, siç tha gjykatësi, u emëruan drejtorë në detyrë në këtë pozicion, nuk u zgjodhën nga radhët e të punësuarve, u emëruan pa shpallje publike, nuk kishin pesë vjet përvojë të kërkuar dhe u zgjodhën njëri pas tjetrit, megjithëse ligji nuk e lejon këtë.

LEXO: Gjykata i shqiptoi Merkos gjobë prej 10 mijë eurosh për emërimin e paligjshëm të drejtorëve të shkollave në rajonin e Strugës
Ndryshe, Merko mori lirim nga akuzat në fillim të qershorit në rastin që po zhvillohej kundër tij për shpërdorim të detyrës zyrtare në blerjen e një makine Audi me vlerë 67,000 euro.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull