Zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe format e reja të raportimit në mes të krizave do të kenë një ndikim të fuqishëm në vitin 2024, thotë hulumtimi i fundit i Institutit Reuters.
Por, sipas tyre parashikohet që deri në vitin 2026, një pjesë e madhe e përmbajtjes në internet do të prodhohet në mënyrë sintetike.
Pra, duke përdorur inteligjencën artificiale dhe teknika të ndryshme kompjuterike, e kjo paralajmëron gazetarët dhe organizatat e lajmeve që të rishikojnë rolin dhe qëllimin e tyre në shtëpitë mediatike ku punojnë.
Luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, ndryshimet klimatike, pasojat e pandemisë dhe rënia ekonomike, siç thuhet në këtë hulumtim, kanë lëkundur goxha shumë themelet e një ndër profesioneve më fisnike, gazetarisë, në vitin e fundit, dhe ky presion i pamëshirshëm pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
“Shumë chatbot të drejtuar nga IA-ja do të ofrojnë një mënyrë më të shpejtë dhe më intuitive për të hyrë në informacion. Një rënie e mprehtë e ridrejtimeve nga Facebook dhe X (dikur Twitter) në faqet e lajmeve mund të zvogëlojë më tej trafikun e përgjithshëm në këto sajte”, thotë raporti në fjalë.
Drejtimi i audiencës nga Facebook në faqet e lajmeve sipas kësaj analize ka rënë në mënyrë drastike, me 48 për qind, dhe nga X/Twitter me 27 për qind, dhe botuesit po drejtohen gjithnjë e më shumë në Instagram, Tiktok dhe Whatsapp. Ndërkohë, Google Discover po bëhet një kanal gjithnjë e më i rëndësishëm për gjetjen informacion.
Me qëllim tërheqjen e audiencës së gjeneratës së ardhshme, hulumtimi thekson se botuesit do të duhet të përqendrohen në krijimin e videove të shkurtra, të planifuara si për TikTok, ashtu edhe për YouTube.