Koreja e Jugut po shqyrton mundësinë e ndalimit të përdorimit të platformave të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 14-vjeçare.
Siç raporton agjencia e lajmeve Yonhap, kryetari i Komisionit të Medias dhe Komunikimeve të Koresë së Jugut, Kim Jong-cheol tha se “institucioni po shqyrton në faza një plan për të kufizuar krijimin e llogarive në platformat e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 14-vjeçare”.
Kim gjithashtu tha se po ashtu po shqyrtohet kufizimi i ekspozimit ndaj dizajneve dhe algoritmeve që mund të nxisin përdorimin e tepërt të këtyre platformave nga adoleshentët e moshës 14 deri në 19 vjeç.
Duke folur në një prezantim të politikave në pallatin presidencial “Cheong Wa Dae”, Kim tha se përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale nga adoleshentët është një problem global.
“Në Kuvendin Kombëtar janë propozuar rreth shtatë projektligje që lidhen me këtë çështje”, tha ai.
Megjithatë, Kim bëri thirrje për kujdes, duke kujtuar Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Natës të vitit 2011, i cili ndalonte fëmijët nën moshën 16-vjeçare të luanin lojëra online nga mesnata deri në orën 06:00.
Ky ligj u shfuqizua në vitin 2022 pas kritikave se cenonte të drejtat individuale dhe dëmtonte industrinë e lojërave.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur disa vende kanë vendosur ose po planifikojnë vendosjen e kufizimeve për qasjen e të rinjve në rrjetet sociale.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi se do të vendosë kufizime automatike gjatë natës dhe do të kufizojë funksionet e rrjeteve sociale që nxisin varësinë për të rinjtë e moshës 16 dhe 17 vjeç.
Bashkimi Evropian (BE) ka bërë të ditur se pas verës do të paraqesë legjislacion për të kufizuar qasjen e fëmijëve në platformat e rrjeteve sociale.
Në fillim të këtij viti, Indonezia nisi zbatimin e kufizimeve për llogaritë në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.
Australia në dhjetor të vitit 2025 u bë vendi i parë në botë që ndaloi fëmijët nën moshën 16-vjeçare të kenë llogari në rrjetet sociale.

