Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thekson që ka informacione nga organet e sigurisë se në pjesën shqiptare të vendit, me theks të veçantë në Tetovë, në vazhdimësi ka tendenca për të krijuar tensione ndëretnike nga ana e opozitës, shkruan Alsat.
Dyshimet, sipas Kasamit janë se edhe rrahja e nxënësve ka qenë e nxitur, ndërsa ka pasur plan edhe për ta djegur Xhaminë në Kodrën e Diellit.
“Informatat si nga brenda po ashtu edhe nga shtetet fqinje janë edhe se konflikti i fundit i rrahjes, ka indicie se është i stimuluar nga elemente të tilla. Po ashtu edhe sa i përket rastit për Xhaminë në Kodër të Diellit, janë informuar institucionet e sigurisë dhe janë të kujdesshme dhe po përcillet çdo hap në këtë drejtim. Janë dhënë sugjerime ndaj këtyre institucioneve që 24 orë të përcillet situata dhe të mos tolerohet në periudhën parazgjedhore, elemente të caktuara të krijojnë konflikte ndëretnike për qëllime politike. Jemi duke grumbulluar faktet dhe argumentet që kemi dhe do informojmë edhe ambasadat e vendit”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Çështjen në fjalë e shpalosi mbrëmë shefi i shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN, Adnan Azizi, i cili e akuzoi BDI-në se po përgatitë skenarë të errët me qëllim destabilizimin e vendit.
“Indikacionet flasin që edhe ata fëmijë që u rrahën që janë nga komuna juaj, ishin të paguar nga njerëzit e BDI-së të organizuar me “Vojvodat” vetëm e vetëm për të diskredituar pushtetin dhe nuk zgjedhin mekanizëm për të ardhur në pushtet. Kemi informacione të sakta se nga një shtet fqinj, kanë paguar dy grupe për të djeg edhe xhaminë në Kodrën e Diellit”, theksoi Adnan Azizi, VLEN./ Alsat.mk