Kandidati i koalicionit VLEN për Çairin, Izet Mexhiti, ka zhvilluar mbrëmë një tubim në konakun e familjes së njohur Haxhi Ibrahimi në Dyqanxhik, nën organizimin e Besnik Berishës. Në takim morën pjesë familjarë, miq dhe të afërm, të cilët, siç tha Mexhiti, u bashkuan me një qëllim të përbashkët – të shohin Çairin duke ecur përpara.
Mexhiti theksoi se qytetarët e Çairit kanë parë tashmë investime konkrete, ndërsa për vitet e ardhshme paralajmëroi projekte të reja, përfshirë rrugë të rregulluara, shkolla moderne, kushte më të mira për bizneset dhe investime të reja në lagje.
“Mbështetja që na japin familjet e Çairit, si ajo e Haxhi Ibrahimit, është forca jonë më e madhe. Ky besim na obligon të vazhdojmë fuqishëm, dhe ta bëjmë çdo premtim, realitet,” tha kandidati i VLEN-it.
Ai shtoi se synimi i tij është ndërtimi i një Çairi të zhvillimit, Çairi të barabartë dhe Çairi të dinjitetit, duke theksuar se fitorja do të arrihet vetëm së bashku me qytetarët.