Anëtari i Bordit drejtues në Agjencinë e Filmit, Mensur Aliti, ka reaguar ashpër ndaj kritikave për ndarjen e fondeve në konkursin e fundit, duke e quajtur absurde që akuzat vijnë nga ata që për vite të tëra nuk kanë punësuar asnjë shqiptar dhe kanë kushtëzuar ndarjen e buxheteve me reket deri në 50%.
“Nëse flasim me numra, realiteti është i qartë: nga buxheti i përgjithshëm prej 37.800.000 denarësh (rreth 600 mijë euro), për herë të parë regjisorët dhe producentët shqiptarë kanë marrë 7.900.000 denarë (128 mijë euro), mjete që do t’u arrijnë tërësisht pa kushtëzime dhe pa përqindjet e reketeve të BDI-së”, shkruan Aliti.
Të ngjajshme
Kasami shpërndan kontenjera të ri për riciklim: Të kujdesemi për hapësirat publike
Ai kujtoi se Agjencia e Filmit është lënë me 12 milionë euro borxhe nga keqmenaxhimi i pushtetarëve të kaluar, ndërsa sot, sipas tij, procesi është për herë të parë i hapur dhe transparent, duke kaluar në të gjitha fazat ligjore nga kontrolli administrativ, te recenzimi, këshilli filmik, konsultanti financiar, drejtori e deri te Bordi drejtues.
Aliti ka reaguar edhe ndaj fyerjeve të opozitës për anëtarët shqiptarë të Bordit, duke thënë se aty sot ka profesionistë të vërtetë e jo klientë të reketit. “Ju arrini të fyejni edhe Universitetin e Prishtinës duke quajtur punën e diplomës së Jehona Ajdinit ‘amatere’. Ky është vetëm pasqyrim i prishjes suaj morale: kushdo që nuk është pjesë e rrjetit tuaj të interesit, shpallet i paaftë”, ka theksuar ai.
Duke e mbyllur reagimin, Aliti ka goditur fort kundërshtarët. “O të mjerë, jo të gjithë e kanë parë pushtetin si mundësi për pasurim personal. Dikush e do dhe punon për filmin, dhe këtë s’mund ta ndalni. Opozita është e vështirë për reketxhinjtë”, ka përfunduar ai.