Haradinaj – Abdixhikut: Vazhdo të vendnumërosh se të shkon për shtati

2 Min. Leximi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij e ka mbajtur përgjegjësinë që e ka pasur sa i përket zhbllokimit për konstituimin e Kuvendit.

Ndërkohë, ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryetarin e saj për qëndrimin kundër në votimin kur kryekuvendar u zgjodh Dimal Basha.

- Advertisement -

“AAK e ka vërejtur muaj më parë që vendi po hyn në bllokadë të thellë institucionale dhe kjo ka ndodhur. Duke e parë këtë rrezik katastrofik për vendin, AAK e ka dërguar kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo, me vendimin e saj të parë dhe të dytë, e ka vendosur modelin e daljes nga bllokada dhe ne jemi pozicionuar pro vendimit të Gjykatës. Kaq ka qenë përgjegjësia jonë dhe kaq kemi bërë. Veç Lumir Abdixhiku me të tijët, janë betonuar pro kësaj bllokade. Lumiri ka vendnumëruar në vazhdimësi dhe po vazhdon të vendnumërojë ende. Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir!” ka shkruar Haradinaj.

- Advertisement -

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i vlerësoi të gabuara votat e PDK-së e AAK-së për Bashën.

“E ndjej si gabim trashanik votën e dy partive tjera të ish-opozitës, PDK e AAK, që institucioneve të Kosovës të u japin një emër të tillë. Megjithatë ky është vullnet i 73 deputetëve shumicës, LDK e respekton këtë vullnet por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione. Besoj se do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave në Republikën e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull