Kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Haraçinës, Daut Beqiri, gjatë fjalimit të tij para qytetarëve theksoi se kjo komunë, edhe pse ndodhet vetëm shtatë kilometra nga qendra e Shkupit, për 34 vite është lënë në harresë.
“Është mjerim që Haraçina ende nuk ka kanalizim, ujë të pijshëm, rrugë të asfaltuara, çerdhe e shkolla me kushte normale. Edhe më e dhimbshme është që banorët tanë helmohen nga kanali dhe deponitë e egra që ndodhen në dalje të saj,” deklaroi Beqiri.
Ai shtoi se banorët e Haraçinës kanë treguar gjithmonë humanizëm dhe shpirt kombëtar, por janë përbuzur nga politika e gabuar e deritanishme. “Gjithë kohën janë munduar të na paraqesin si pikën e errët të shtetit, të na varfërojnë e të na përçajnë. Por Haraçina nuk duron më shumë,” theksoi ai.
Beqiri u zotua se, me mbështetjen e Qeverisë dhe të kuadrove profesioniste nga Haraçina, do të punojë për zhvillimin e infrastrukturës, arsimit, sportit dhe kulturës, duke e kthyer komunën në një vend me standarde evropiane./Zyrtare.net/